RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Serbia e glorifikon figurën e kriminelit Mlladiq

serbia-e-glorifikon-figuren-e-kriminelit-mlladiq
Varrimi i kriminelit të dënuar për gjenocid, Ratko Mlladiq, pritet të bëhet me nderime të larta shtetërore në Serbi, ndërsa vendi i varrimit do të përcaktohet nga familja e tij. Vdekja e tij ka nxitur reagime të forta dhe të kundërta në rajon dhe në arenën ndërkombëtare, duke rihapur debatin për përgjegjësinë dhe kujtesën e krimeve të kryera gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë

Serbia ka paralajmëruar se krimineli i gjenocidit në Bosnjë, i cili vdiq të enjten, Ratko Mlladiq, do të varroset me nderime të larta shtetërore.

Ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujiq, e ka konfirmuar këtë njoftim në televizionin ATV të Banja Llukës.

“Gjenerali Mlladiq është gjeneral dhe protokollet dihen. Dihet edhe roli i tij, por edhe ajo që i takon gjeneralit Mlladiq sigurisht që do të respektohet. Theksoj se Republika Srpska këtu nuk është ajo që vendos, familja do të vendosë edhe për vendin ku do të varroset, sepse kjo është çështje e familjes së tij”, ka thënë Vuçiq.

Mediat serbe kanë raportuar se djali i Mlladiqit ka kërkuar që ai të varroset në Beograd, pranë varrit të vajzës së tij, e cila pati bërë vetëvrasje më 1994.

E presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka shprehur mbështetjen e tij nëse familja kërkon një gjë të tillë. Ai është zotuar për varrim dinjitoz të kriminelit.

“Ata nuk e lejuan të vdiste në Serbi, të vdiste aty ku donte. Ky ishte një veprim i pacivilizuar, i paprecedentë dhe i pajustifikueshëm. Ajo që mund të garantoj është se, nëse familja dëshiron që ai të varroset në territorin e Serbisë, ne do të ndihmojmë dhe do të mundësojmë që kjo të bëhet në mënyrë dinjitoze”, ka thënë Vuçiqi.

Ai është ankuar për Gjykatën në Hagë duke thënë se nuk ka dërguar njoftim zyrtar për vdekjen e Mlladiqit.

“Ne tani pamë se Haga donte që Mlladiqi të vdiste pas hekurave, jo në spital. Veçanërisht, nuk donin të lejonin që gjenerali të vdiste në Serbi, aty ku ai dëshironte”, ka thënë Vuçiqi për gazetarët në Oseçinë.

Ai e ka cilësuar këtë si “sjellje jocivilizuese, të paprecedentë dhe të pajustifikueshme”.

Siç ka thënë Vuçiqi, ekipe nga Serbia janë dërguar në Hagë për të ndihmuar me çështje logjistike dhe transportim.

Vdekja e kriminelit Ratko Mlladiq ka nxitur reagime të ndryshme në rajon dhe në arenën ndërkombëtare.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka ritheksuar solidaritetin me viktimat e gjenocidit dhe familjet e tyre, duke theksuar rëndësinë e luftimit të mohimit të krimeve dhe glorifikimit të kriminelëve të luftës.

“Ai dënon fuqishëm çdo mohim të gjenocidit të Srebrenicës si ngjarje historike, dhe çfarëdo veprimi që glorifikon të dënuarit për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare”, është thënë nga zyra e Guterres.

Një prej reagimeve më të forta ka ardhur nga Emir Suljagiq, drejtori i Qendrës Memoriale të Srebrenicës. Ai ka thënë se vdekja e Mlladiqit nuk ndryshon asgjë nga ajo që ka ndodhur gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë.

“Ratko Mlladiq ka vdekur dhe nuk ka çarë të thuhet më shumë. As ky fakt nuk ndryshon diçka. Nuk i kthen të vdekurit. Nuk i zbardh varrezat masive. Nuk e kthen kriminelin në figurë historike. Tani mbetet pjesa më e vështirë e punës: të mos lihet e vërteta, përgjegjësia dhe kujtesa të vdes me të. Vdekja e Mlladiqit është një tjetër moment ku duhet të vendosim çfarë do të kujtojmë dhe me më rëndësi çfarë nuk do të lejojmë të harrohet”, ka thënë ai.

Edhe Kada Hotiq, nënkryetare e Lëvizjes “Nënat e Srebrenicës”, e cila humbi bashkëshortin dhe djalin gjatë masakrës së vitit 1995, ka thënë se drejtësia ishte vendosur në momentin kur Mladiqi u dënua me burgim të përjetshëm.

Në anën tjetër, reagimet nga një pjesë e figurave politike serbe kanë qenë krejtësisht të kundërta.

Milorad Dodik, ish-presidenti i Republikës Srpska, e ka cilësuar vdekjen e Mladiqit si “vrasje”, duke pretenduar se gjendja e tij shëndetësore kishte qenë e rënduar dhe duke e paraqitur atë si një komandant që kishte luftuar për mbrojtjen e serbëve.

“Është vrasje. Ai ishte i respektuar nga serbët. Si komandant ai qëndroi për t’i mbrojtur serbët”, ka thënë Dodiku.

Ngjashëm ka reaguar edhe lideri i Partisë Radikale Serbe, krimineli Vojislav Sheshel, i cili ka pretenduar se Mladiqi ishte “vrarë”, duke vazhduar glorifikimin e tij edhe pas vdekjes.

“Mlladiqi luftoi kundër atyre të ligëve për kohë të gjatë; ata e prisnin vdekjen e tij që 2-3 vjet, por ai nuk hoqi dorë… Ata e vranë atë”, ka thënë Shesheli.

Krimineli Mlladiq, me origjinë nga Kalinoviku, u dënua përfundimisht në qershor të vitit 2021 nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë për gjenocid në Srebrenicë, përndjekje të popullsisë civile, shfarosje dhe vrasje, dëbim dhe akte çnjerëzore, terrorizim dhe sulme të paligjshme ndaj Sarajevës, si dhe marrjen peng të ushtarëve të OKB-së.

Mladiqi ishte përgjegjës për vdekjen e më shumë se 8 mijë burrave dhe djemve në Srebrenicë në vitin 1995.

Në opinionin publik botëror, për shkak të krimeve të tij, ai u bë i njohur edhe si “Kasapi i Bosnjës”.

Related posts

Ministri i Jashtëm iranian: Rikthimi i diplomacisë me SHBA-në “nuk është i pamundur”

RTI

Turqia, Egjipti dhe Katari mirëpresin formimin e komitetit teknokratik palestinez për Gazën

Muhamet Ramadani

Escobar arrin në Kosovë, nis takimi me presidenten Osmani

admin