Dy raketa balistike u hodhën të premten nga një zonë e kontrolluar nga forcat Houthi në Jemen drejt rrugëve ndërkombëtare të anijeve në ngushticën Bab el-Mandeb, që lidh Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit, tha ushtria amerikane, transmeton Anadolu.
“Një nga këto raketa goditi MV PALATIUM 3 me flamur liberian, i cili transmetoi një telefonatë ndihme dhe raportoi se anija ishte në zjarr”, shkroi Komanda Qendrore e ShBA-së (CENTCOM) në “X”.
Shkatërruesi USS Mason iu përgjigj thirrjes, tha Komanda.
“Raketa tjetër me gjasë nuk ka qëlluar ndonjë anije. Nuk është raportuar asnjë lëndim nga asnjë nga tre anijet e sulmuara, por ky raund i fundit i sulmeve është një tjetër demonstrim i rrezikut të madh për transportin ndërkombëtar të shkaktuar nga këto veprime të Houthive”, thuhet më tej.
CENTCOM-i tha më herët të premten se një mjet ajror pa pilot i nisur nga territori i kontrolluar nga lëvizja Houthi goditi anijen motorike me flamur liberian AL JASRAH ndërsa po udhëtonte në jug në Detin e Kuq.
Zjarri i shkaktuar nga sulmi është shuar, tha CENTCOM-i.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, John Kirby, tha të premten se transiti i trafikut tregtar në Detin e Kuq është “më i rrezikshëm” tani se më parë dhe Shtëpia e Bardhë do të ketë “më shumë për të thënë” në lidhje me detajet e një task-force detare në ditët në vijim.
Një zëdhënës i grupit Houthi tha më parë se grupi do të synojë të gjitha anijet që do të drejtohen në Izrael, pavarësisht nga kombësia, dhe paralajmëroi të gjitha kompanitë e transportit që të shmangin marrëdhëniet me portet izraelite.
Operacionet e grupit kundër anijeve përkojnë me sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga ofensiva ndërkufitare e 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas.