Shtëpia e Bardhë tha të enjten se grupi Wagner, një kompani private ushtarake ruse, ka marrë një dërgesë armësh nga Koreja e Veriut për t’i ndihmuar forcat e saj që luftojnë krah për krah me trupat ruse në Ukrainë.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se zyrtarët e inteligjencës amerikane përcaktuan se Koreja e Veriut përfundoi një dërgesë fillestare të armëve që përfshinte raketa, muajin e kaluar.
“Ne vlerësojmë se sasia e materialit të dorëzuar te Wagner-i nuk do të ndryshojë dinamikën e fushëbetejës në Ukrainë. Por, ne sigurisht jemi të shqetësuar që Koreja e Veriut po planifikon të dërgojë më shumë pajisje ushtarake”, tha Kirby.
Të premten, Koreja e Veriut mohoi kategorikisht se kishte dërguar municione në Rusi, duke e quajtur akuzën e SHBA-së për dërgesën e armëve në Rusi “teori e pabazë” e përgatitur nga “disa forca të pandershme”.
Shtëpia e Bardhë ka alarmuar për përfshirjen në rritje të Wagner-it në luftë, pasi pjesëtarë të tij kanë qenë sidomos aktivë në rajonin lindor të Donbasit.
Kirby tha se në disa raste zyrtarët ushtarakë rusë madje kanë qenë “në varësi të komandës së Wagner-it”.
Zyrtarët e administratës Biden thanë se me shitjet e armëve për grupin ushtarak privat, Koreja e Veriut po shkel sanksionet e OKB-së që ndalojnë Phenianin të importojë ose eksportojë armë.
Ambasadorja Linda Thomas-Greenfield, e dërguar e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, e quajti “të neveritshme” që Rusia, një anëtare e përhershme me të drejtë vetoje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila vendosi sanksionet, tani po përdor armë të blera nga Koreja e Veriut dhe Irani “për të vazhduar luftën e saj kundër Ukrainës”.
Një zëdhënës i paidentifikuar në Ministrinë e Jashtme të Koresë së Veriut tha në një deklaratë të transmetuar nga media shtetërore se shteti “mbetet i pandryshuar në qëndrimin e tij parimor për çështjen e “dërgesave të armëve” midis (Koresë së Veriut) dhe Rusisë, gjë që nuk ka ndodhur kurrë”.
Zëdhënësi nuk përmendi vlerësimin e SHBA-së të së enjtes, se Koreja e Veriut i dërgoi një sasi armësh grupit Wagner.
Por, ai akuzoi SHBA-në për “akte kriminale që sjellin gjakderdhje dhe shkatërrim në Ukrainë” ndërsa përsëriti mbështetjen e saj ndaj Rusisë në luftë.
“Dua të them se populli rus është populli më i guximshëm me vullnetin dhe aftësinë për të mbrojtur sigurinë dhe integritetin territorial të vendit të tij pa mbështetjen ushtarake të të tjerëve”, tha ai.
Kirby tha se SHBA-ja tani vlerëson se Wagner ka rreth 50.000 persona që luftojnë në Ukrainë, duke përfshirë 10.000 kontraktorë dhe 40.000 të dënuar që kompania ka rekrutuar nga burgjet.
SHBA-ja vlerëson se Wagner-i, në pronësi të Yevgeny Prigozhin, një aleat i presidentit rus, Vladimir Putin, po shpenzon rreth 100 milionë dollarë në muaj në luftë, tha Kirby.
Mercenarët e Grupit Wagner janë akuzuar, gjithashtu, nga vendet perëndimore dhe ekspertët e OKB-së për shkelje të shumta të të drejtave të njeriut në të gjithë Afrikën, duke përfshirë Republikën e Afrikës Qendrore, në Libi dhe në Mali.
Wagner është përballur me sanksionet e SHBA-së që nga viti 2017. Departamenti i Tregtisë zbuloi të mërkurën kufizime të reja të eksportit që shënjestërojnë Wagner-in në një përpjekje për të kufizuar më tej qasjen e tij në teknologji dhe furnizime. /rel