Shtetet e Bashkuara i kanë refuzuar sërish vizën presidentit palestinez Mahmoud Abbas për të marrë pjesë në sesionin e ardhshëm të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, raporton AFP, duke cituar një burim të njohur me çështjen.
Ky është viti i dytë radhazi që Abbasit i refuzohet udhëtimi për në takimin vjetor të OKB-së. Vitin e kaluar, ai iu drejtua Asamblesë përmes videolidhjes, pasi shtetet anëtare miratuan pjesëmarrjen e tij në distancë.
Refuzimi vjen pasi Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi zgjatjen e kufizimeve të vizave për zyrtarë të Autoritetit Palestinez dhe anëtarë të Organizatës për Çlirimin e Palestinës.
SHBA-ja i akuzon këta zyrtarë se nuk kanë zbatuar reformat e kërkuara dhe se kanë dëmtuar perspektivat për paqe. /mesazhi

