Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka bërë të ditur të martën se SHBA-ja së shpejti do të njoftojë një ndihmë shtesë prej 2.3 miliardë dollarësh për sigurinë për Ukrainën, duke përfshirë armë antitank, interceptorë dhe municione për Patriot dhe sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore.
Njoftimi i Austinit erdhi pasi ministri ukrainas i Mbrojtjes Rustem Umerov u takua me të në Pentagon.
“Ukraina nuk është vetëm dhe Shtetet e Bashkuara nuk do të lëkunden kurrë në mbështetjen për të”, ka thënë Austin teksa hapi takimin me Umerov.
“Krahas rreth 50 aleatëve dhe partnerëve, ne do të vazhdojmë të ofrojmë aftësi kritike që i duhen Ukrainës për të zmbrapsur agresionin rus sot dhe për të penguar agresionin rus nesër”, ka shtuar ai.
Njoftimi vjen vetëm disa ditë përpara se SHBA-ja të organizojë samitin e NATO-s në Ëashington dhe ndërsa Ukraina ka vazhduar të lobojë për mbështetje ushtarake dhe pranim në aleancë.
“Ne do të ndërmarrim hapa për të ndërtuar një urë për anëtarësimin në NATO për Ukrainën,” i ka thënë Austin Umerovit.
“Shpresojmë se së shpejti Ukraina do të marrë ftesën e saj”, është përgjigjur ministri ukrainas, Umerov.
Duke përfshirë 2.3 miliardë dollarët e fundit, SHBA-ja ka dhënë më shumë se 53.5 miliardë dollarë ndihmë për sigurinë për Ukrainën që nga fillimi i luftës ruse, në shkurt të vitit 2022.