Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, tha se SHBA mbështet Turqinë në presionin që i bën Rusisë që t’i bashkohet Nismës së Drithërave të Detit të Zi, raporton Anadolu.
Zëdhënësi Miller iu përgjigj një pyetjeje në lidhje me vizitën e mundshme të presidentit rus Vladimir Putin në Turqi në muajin gusht.
“Unë nuk do të flas për vizitën, në veçanti, përveçse të them një gjë që ne e kemi mirëpritur, e ajo është roli që Turqia ka luajtur në presionin ndaj Rusisë që t’i bashkohet Nismës së Drithërave të Detit të Zi”, tha Miller.
Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan tha javën e kaluar se nuk është caktuar ende një datë për vizitën e presidentit rus, por bisedimet vazhdojnë dhe shpreson që Putin do ta realizojë vizitën në gusht.
“Ata (Turqia) ishin padyshim shumë konstruktiv, në ndihmimin e arritjes së marrëveshjes për atë iniciativë në radhë të parë dhe ndihmuan në bindjen e Rusisë për të vazhduar me iniciativën”, tha Miller, duke shtuar: “Ata vazhdojnë të luajnë një rol produktiv. Ne mendojmë se është e dobishme që ata të luajnë atë rol”.
Komentet e fundit të presidentit Erdoğan erdhën pas një telefonate me Putinin të mërkurën e kaluar, gjatë së cilës presidenti turk i tha homologut të tij rus se Turqia do të vazhdojë përpjekjet dhe diplomacinë e saj “intensive” për të rifilluar marrëveshjen e drithërave të Detit të Zi.
Më 17 korrik, Rusia pezulloi pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen, të cilën e nënshkroi në korrik 2022 së bashku me Turqinë, OKB-në dhe Ukrainën për të rifilluar eksportet e drithërave nga portet ukrainase të Detit të Zi, të cilat u ndaluan pasi filloi lufta Rusi-Ukrainë në shkurt të atij viti. Moska është ankuar se pjesa ruse e marrëveshjes nuk po zbatohej.
Turqia, e vlerësuar ndërkombëtarisht për rolin e saj unik ndërmjetësues midis Ukrainës dhe Rusisë, i ka kërkuar vazhdimisht Kievit dhe Moskës që t’i japin fund luftës përmes negociatave.