Raportohet se SHBA-ja po punon bashkë me vendet e tjera për të krijuar një korridor humanitar për t’u përdorur në evakuimin e palestinezëve dhe shtetasve amerikanë nga Gaza, transmeton Anadolu.
Sipas lajmit të televizionit shtetëror izraelit KAN, administrata e Washington-it në 24 orët e fundit ka filluar në mënyrë të koordinuar me vendet e tjera përgatitjet për krijimin e një korridori humanitar përmes Egjiptit për të evakuuar palestinezët dhe ata që kanë shtetësi amerikane nga Gaza.
Përgatitjet në fjalë kanë ardhur në një periudhë ku janë rritur parashikimet se Izraeli do të fillojë operacion tokësor ndaj Gazës.
Në lajm nuk jepet informacion i detajuar se cilët janë palestinezët që do lejohen të evakuohen nga Gaza dhe se ku do të strehohen pas Egjiptit.
Një zyrtar nga ambasada amerikane në Izrael, në një deklaratë për KAN u shpreh se “nuk dëshiron të flasë në emër të Egjiptit, por që është i sigurt se ata do ta lejojnë këtë”.
Ndërkohë nga Egjipti nuk është bërë ende ndonjë deklaratë zyrtare lidhur me çështjen.