Numri i viktimave nga tornadot që kanë goditur SHBA-në gjatë fundjavës u rrit në 33, transmeton Anadolu.
Më shumë se 60 tornado goditën tetë shtete nga Arkansasi deri në Delaware të premten mbrëma.
Të paktën 15 viktima të lidhura me motin u raportuan në qarkun Tennessee. Vdekje të tjera u raportuan në Alabama, Illinois dhe Mississippi dhe një pranë Little Rock, Arkansas, ku kryebashkiaku tha se më shumë se 2.000 ndërtesa ishin goditur nga tornadot.
Të paktën 52 persona kanë humbur jetën që nga 25 marsi nga tornadot në tetë shtete. Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, spiralja rrotulluese e tornados ishte e nivelit të lartë EF3 me shpejtësi të erës deri në 265 kilometra në orë dhe një shteg deri në 40 kilometra.
Të shtunën në mbrëmje, të paktën një person humbi jetën, ku siç dyshohet, tornadoja shkaktoi shembjen e një strukture pranë qytetit Delaware të Greenwood, njoftoi qeveria e qarkut Sussex.
Një grua 90-vjeçare humbi jetën brenda shtëpisë së saj pasi u shkatërrua nga tornadoja pranë Huntsville, Alabama, njoftoi për CBS News Don Webster, zëdhënës i Shërbimeve Mjekësore të Urgjencës Huntsville.
“Katër persona humbën jetën në qytetin Wynne në Arkansasin verilindor”, tha mjekja ligjore e qytetit për CBS News. Zyrtarët thanë se kishte njerëz të bllokuar në rrënojat e shtëpive të shkatërruara.
Gjithashtu të shtunën, një çati teatri u shemb nga tornadoja në Belvidere, Illinois, duke i marrë jetën një 50-vjeçari dhe duke plagosur rreth 40 të tjerë, konfirmuan zyrtarët. Tre persona humbën jetën kur një strukturë banimi u shemb në Crawford County, tha Alicia Tate-Nadeau, drejtore e Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave në Illinois.
“Të paktën pesë persona humbën jetën në Arkansas, ku është shpallur gjendja e jashtëzakonshme”, tha guvernatorja Sarah Huckabee Sanders.
Jim Pirtle, drejtor i menaxhimit të urgjencës në Sullivan County, Indiana, tha se ata raportuan tre viktima.
“Ndërsa ende jemi duke vlerësuar shkallën e plotë të dëmeve, ne e dimë se familjet anembanë Amerikës po vajtojnë për humbjen e njerëzve të dashur, duke pritur me dëshpërim lajmet e të tjerëve që luftojnë për jetën e tyre dhe po kalojnë nëpër rrënojat e shtëpive dhe bizneseve të tyre”, tha presidenti i SHBA-së, Joe Biden në një deklaratë.
Më herët, Biden shpalli zona të gjera të vendit zona të fatkeqësisë së madhe, duke i vënë në dispozicion burimet federale dhe ndihmën financiare për rimëkëmbje. Ai vizitoi Rolling Fork, pasi shteti jugor u godit nga tornado të shumta.