RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Shefi i diplomacisë greke kërkon lidhje më të mira me Turqinë për përfitime reciproke

shefi-i-diplomacise-greke-kerkon-lidhje-me-te-mira-me-turqine-per-perfitime-reciproke

Përpara një takimi me ministrin turk të Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, në kryqytetin turk Ankara, ministri grek i Punëve të Jashtme, Giorgos Gerapetridis, ka theksuar përfitimet reciproke të lidhjeve më të mira mes dy vendeve, raporton Anadolu.

Duke kujtuar klimën pozitive në një takim midis presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, në muajin korrik gjatë samitit të NATO-s në Vilnius, shefi i diplomacisë greke në një intervistë për Anadolu tha se ai do të vizitojë Ankaranë në mënyrë që ai dhe homologu i tij turk të mund të hedhin bazat për takimin e liderëve turq dhe grek, të planifikuar për më vonë këtë muaj në Neë York gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“Ne do të diskutojmë përgatitjet për Këshillin e Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Turko-Grek, i cili do të zhvillohet në dhjetor në Selanik pas shtatë vitesh”, tha Gerapetridis.

Gerapetridis theksoi se “agjenda pozitive” është një kornizë për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes vendeve dhe zgjerimin në disa fusha të tjera si në fushën e transportit, fushën detare, biznes, teknologji, mbrojtje, si dhe në përballjen me fatkeqësitë natyrore.

“Sigurisht nga realizimi i agjendës pozitive do të përfitojnë të dyja vendet, siç manifestohet nga vëllimi tregtar prej 5.4 miliardë eurosh në vitin 2022. Gjithashtu ajo e mban të hapur dialogun mes dy vendeve”, tha Gerapetridis.

Për sa i përket dialogut të tij me shefin e diplomacisë turke, ai tha se ata kanë zhvilluar një marrëdhënie shumë të mirë personale të bazuar në mirëkuptimin e ndërsjellë dhe sinqeritet.

“Me rëndësi është që mesazhet e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë për kombet greke dhe turke të transmetohen nga liderët e tyre”, tha Gerapetridis.

Perspektiva e re që synon të gjejë një zgjidhje për problemet e kahershme midis dy vendeve, theksoi Gerapetridis, duhet të ketë përparësi në ndërtimin e besimit.

Duke theksuar se Greqia dëshiron ndërveprim më intenziv midis popullit grek dhe turk, Gerapetridis tha se fatkeqësitë me të cilat u përballën të dy vendet në vitin 2023 treguan se turqit dhe grekët kanë interesa dhe ndjenja të përbashkëta humane ndaj njëri-tjetrit.

“Ky humanizëm është ndoshta karakteristika më e rëndësishme e përbashkët që bashkon popujt tanë”, tha ai.

Erdoğan dhe Mitsotakis u takuan në muajin korrik gjatë samitit të NATO-s në kryeqytetin lituanez Vilnius dhe takimi u vlerësua si një moment historik pozitiv nga të dy vendet.

Një raund i ri i bisedimeve të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Turko-Grek pritet të mbahet në qytetin grek Selanik në muajin dhjetor.

Related posts

Haxhiu pritet të dëshmojë sot në Prokurorinë Speciale në lidhje me rastin Dehari

admin

Këtu janë disa nga zhvillimet më të fundit në Palestinë

rezart morina

Fitore e madhe për Trump pas atentatit, Gjykata në Florida hedh poshtë rastin për dokumentet e klasifikuara

admin