RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Shefi i NATO-s: Dërgimi i më shumë armëve në Ukrainë, rruga e vetme drejt paqes së negociuar

shefi-i-nato-s:-dergimi-i-me-shume-armeve-ne-ukraine,-rruga-e-vetme-drejt-paqes-se-negociuar

Pozicioni i NATO-s për Ukrainën nuk ka ndryshuar dhe aleanca ende mbështet idenë për ta pasur Ukrainën si shtet anëtar, tha Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg gjatë një fjalimi në një konferencë të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Shefi i NATO-s Stoltenberg tha se fokusi i tyre kryesor tani është të mbështesin Ukrainën, duke siguruar që Kievi të fitojë luftën dhe të triumfojë si një komb demokratik sovran dhe i pavarur në Evropë.

Lufta në Ukrainë ka mundësi të përfundojë në tryezën së bisedimeve dhe ajo që ndodh në të varet tërësisht nga fuqia në fushëbetejë, tha Stoltenberg.

“Nëse duam një zgjidhje paqësore të negociuar për luftën në Ukrainë, ne duhet të ofrojmë mbështetje ushtarake për Ukrainën. Kjo është mënyra e vetme”, tha ai.

“Armët janë rruga drejt paqes. Dhe kjo mund të tingëllojë si një paradoks, por e vetmja mënyrë për të arritur një marrëveshje të negociuar është të bindësh presidentin Putin se ai nuk do të fitojë në fushën e betejës. Ai duhet të ulet dhe të negociojë”, shtoi Stoltenberg.

Shefi i NATO-s tha gjithashtu se aleatët e NATO-s do të ofrojnë armë më të rënda për Ukrainën.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që presidenti Putin të mos e fitojë këtë luftë. Pjesërisht sepse do të jetë një tragjedi për ukrainasit, por do të jetë shumë e rrezikshme për të gjithë ne”, tha Stoltenberg.

Një fitore e Rusisë, paralajmëroi ai, do të ishte shembull për shtetet e tjera autoritare, duke i bërë ata të besojnë se “kur përdorin forcën brutale, kur shkelin ligjin ndërkombëtar, ata mund të arrijnë atë që duan”.

Lidhur me aplikimin e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO, Stoltenberg tha se ka besim se Turqia do të finalizojë procesin e pranimit të dy vendeve, të cilat aplikuan për anëtarësim pasi Rusia filloi luftën e saj kundër Ukrainës.

Ankaraja po kërkon që këto vende nordike të bëjnë më shumë në luftën kundër terrorizmit në mënyrë që ajo të ratifikojë pranimin e tyre. Negociatat janë ende duke vazhduar, ndërsa Turqia pret veprime konkrete nga Stokholmi dhe Helsinki.

Related posts

Të paktën 6,445 të shpëtuar nga ndërtesat e shembura pas tërmeteve në Turqi

rezart morina

1400 të vetëvrarë, shifra alarmante në RMV, 33 viktima në 3 muajt e fundit

rezart morina

Ndihmat në Ambasadën Turke në Moskë s’kanë të ndalur

rezart morina