RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Shefi i NATO-s, Rutte minimizon shqetësimet mbi strategjinë e re të SHBA-së

shefi-i-nato-s,-rutte-minimizon-shqetesimet-mbi-strategjine-e-re-te-shba-se

Shefi i NATO-s, Mark Rutte minimizoi sot shqetësimet lidhur me dokumentin e ri të strategjisë kombëtare të sigurisë së SHBA-së, duke theksuar se administrata e Trumpit mbetet e përkushtuar ndaj Aleancës, transmeton Anadolu.

Duke folur në konferencën për mediat me kancelarin gjerman Friedrich Merz në Berlin, Rutte tha se aleatët janë të vetëdijshëm për pritjet e presidentit amerikan Donald Trump dhe kanë ndërmarrë hapa për të rritur shpenzimet e tyre të mbrojtjes dhe për të marrë më shumë përgjegjësi.

“Si sekretar i përgjithshëm i NATO-s, sigurisht që fokusi im kryesor është të sigurohem që Aleanca të jetë e sigurt në tërësi. Kur unë e shoh strategjinë kombëtare të sigurisë së SHBA-së, ajo thotë qartë se SHBA-ja është e përkushtuar ndaj Evropës”, tha Rutte.

“SHBA-ja është e përkushtuar ndaj NATO-s. Në mënyrë që e gjithë Aleanca të qëndrojë e sigurt, pranon se nevojitet bashkëpunim i fortë brenda NATO-s, midis aleatëve evropianë, Kanadasë dhe SHBA-së”, shtoi ai.

Dokumenti i ri i strategjisë kombëtare të sigurisë së SHBA-së, i publikuar javën e kaluar, përshkroi prioritetet e administratës së Trumpit në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Ai u përqendrua në rajonin Indo-Paqësor ndërsa hodhi poshtë karakterizimin e Rusisë nga qeveritë evropiane si “kërcënim ekzistencial”.

Dokumenti kishte pikëpamje kritike për pranimin e anëtarëve të rinj në NATO, duke theksuar se është koha për t’u larguar nga shikimi i NATO-s “si aleancë në zgjerim të vazhdueshëm”.

Related posts

Presidenti ukrainas Zelenskyy sot pritet për vizitë pune Turqi

Kushtrim Guraj

India furnizon Bangladeshin me naftë përmes tubacionit të miqësisë mes tensioneve në Lindjen e Mesme

Irfan Jahiu

Të paktën 4 të vdekur nga tërmeti i fuqishëm që tronditi pjesë të Afganistanit, Pakistanit dhe Indisë – VIDEO

admin