Shefi i NATO-s e quajti shkatërrimin e digës së Kakhovkës në Ukrainën jugore veprim “të egër që po zhvendos mijëra njerëz dhe po shkakton një katastrofë ekologjike në Ukrainë”, transmeton Anadolu.
Në një postim në Twitter, sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg tha se ka folur me ministrin e Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba për shkatërrimin e digës, duke shtuar se Kuleba do t’u bashkohet onlajn ambasadorëve aleatë në një takim të Komisionit NATO-Ukrainë, të cilin ai do ta kryesojë të enjten.
Pas shpërthimit, gjendje emergjente u shpall në të dy anët e digës. Njëra anë kontrollohet nga Rusia, ndërsa tjetra nga Ukraina.
Rusia dhe Ukraina akuzuan njëra-tjetrën për dëmtimin e digës së Kakhovkës, e cila çoi në përmbytjen e vendbanimeve fqinje.
Moska akuzoi Ukrainën për përpjekje për ta shkëputur Krimenë nga uji i ëmbël që merr nga rezervuari i Kakhovkës, i formuar nga diga, ndërsa Kievi pretendoi se Rusia përpiqet të ngadalësojë një kundërsulm të pritshëm.