Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, është “i alarmuar nga përmasat e sulmeve të përshkallëzuara të përditshme të forcave të armatosura ruse ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera ukrainase”, të cilat “po shkaktojnë një numër rekord viktimash civile”, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të publikuar të hënën nga zëdhënësi i tij, Stephane Dujarric, Guterres tha se është “po aq i shqetësuar nga rritja e numrit të viktimave civile si pasojë e shtimit të sulmeve të forcave të armatosura ukrainase brenda Federatës Ruse, përfshirë Moskën”.
Shefi i OKB-së “dënon fuqishëm të gjitha sulmet që synojnë civilët dhe infrastrukturën civile, kudo që ndodhin, dhe bën thirrje për t’i dhënë fund menjëherë kësaj spiraleje të rrezikshme të përshkallëzimit”, thuhet në deklaratë.
Guterres bëri thirrje për “rikthimin e fokusit te diplomacia për të ulur urgjentisht tensionet dhe për t’i hapur rrugë një armëpushimi të menjëhershëm, të plotë dhe pa kushte, si hap i parë drejt një paqeje të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në Ukrainë”.
Çdo marrëveshje duhet të jetë “në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, përfshirë Kartën e OKB-së dhe rezolutat përkatëse të OKB-së”, theksoi ai.
“Kombet e Bashkuara janë të gatshme të mbështesin të gjitha përpjekjet kuptimplota në këtë drejtim”, thuhet më tej në deklaratë.

