RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Shefi i OKB-së i thotë Izraelit të ndalojë “vendbanimet e paligjshme” në Palestinë

shefi-i-okb-se-i-thote-izraelit-te-ndaloje-“vendbanimet-e-paligjshme”-ne-palestine

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres i ka bërë thirrje Izraelit që menjëherë të “ndalojë të gjitha aktivitetet e vendbanimeve” në territorin e pushtuar palestinez, duke përshkruar planet e Izraelit për të avancuar ndërtimin e vendbanimeve izraelite si nxitje të “tensioneve dhe dhunës” dhe si një pengesë kryesore për një paqe të qëndrueshme.

Komentet e shefit të OKB-së vijnë pasi pesë palestinezë u vranë – duke përfshirë një djalë 15-vjeçar – dhe më shumë se 90 u plagosën në përleshjet më të ashpra në vite që shpërthyen kur forcat izraelite bastisën kampin e refugjatëve Jenin në Bregun Perëndimor të pushtuar të hënën.

Në rastin e parë të tillë në pothuajse 20 vjet, Izraeli dërgoi helikopterë luftarakë të cilët qëlluan me raketa në objektivat në kampin Jenin, ndërsa luftëtarët palestinezë luftuan për orë të tëra me armë të vogla dhe mjete shpërthyese që çaktivizuan disa automjete ushtarake izraelite, duke bllokuar trupat brenda. Tetë ushtarë izraelitë u plagosën në përleshjet që zgjatën gati 10 orë, sipas dëshmitarëve.

“Sekretari i Përgjithshëm përsërit se vendbanimet janë një shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar,” tha në një deklaratë të hënën Farhan Haq, zëvendës zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm.

“Zgjerimi i këtyre vendbanimeve ilegale është një shtytës i rëndësishëm i tensioneve dhe dhunës dhe thellon nevojat humanitare,” tha Haq.

“Ai forcon më tej pushtimin e Izraelit të territorit palestinez, cenon tokën dhe burimet natyrore palestineze, pengon lëvizjen e lirë të popullsisë palestineze dhe minon të drejtat legjitime të popullit palestinez për vetëvendosje dhe sovranitet”, tha shefi i OKB-së, sipas Hak.

Planet për miratimin e 4,560 njësive të banimit në zona të ndryshme të Bregut Perëndimor janë përfshirë në axhendën e Këshillit Suprem të Planifikimit të Izraelit, i cili mblidhet javën e ardhshme.

Zgjerimi i vendbanimeve të Izraelit duket se e vendos Netanyahun në një kurs përplasjeje me aleatin e tij më të ngushtë, Shtetet e Bashkuara, të cilat thanë se ishin “thellësisht të shqetësuara” nga plani i zgjerimit të vendbanimeve dhe raportet e ndryshimeve në proceset për planifikimin dhe miratimin e vendbanimeve në Palestinën e pushtuar.

Grupet palestineze kanë shprehur gjithashtu shqetësime të thella se i gjithë Bregu Perëndimor së shpejti mund të vihet nën kontrollin e Izraelit.

Të miratosh aktivitetin e vendbanimeve është një “përshkallëzim i rrezikshëm për të përfunduar aneksimin e Bregut Perëndimor”, tha ministria e jashtme palestineze. /mesazhi

Related posts

Tensionet në veri, Kurti takon Viola von Cramon

admin

Kancelari gjerman: Do përdorim sërish termocentralet me qymyr

admin

AFAD-i turk dërgoi ndihma familjeve afgane të prekura nga tërmeti

admin