Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk u bëri thirrje qeverive dhe kompanive kryesore të inteligjencës artificiale që të ndërmarrin veprime urgjente për të adresuar rreziqet në rritje që paraqesin sistemet gjithnjë e më të fuqishme të inteligjencës artificiale, transmeton Anadolu.
“Jemi në prag të një ndryshimi të pakthyeshëm, që prek jo vetëm ne, por edhe brezat e njerëzimit që do të vijnë”, tha Turk në një letër drejtuar qeverive dhe zhvilluesve të inteligjencës artificiale.
Ai paralajmëroi se gara për zhvillimin e inteligjencës artificiale gjithnjë e më të fuqishme po krijon “rreziqe më të mëdha ekzistenciale” dhe tha se dështimet që përfshijnë sistemet autonome të inteligjencës artificiale, të afta për të kryer detyra me ndërhyrje të kufizuar njerëzore, mund të paralizojnë shërbimet thelbësore, të ndërpresin komunikimet dhe infrastrukturën kritike dhe të kërcënojnë institucionet demokratike.
“Popullsi të tëra mund të mbeten pa ujë të pijshëm, ngrohje dhe shërbime financiare”, tha Turk, duke shtuar se inteligjenca artificiale tashmë po përshpejton luftërat dhe po dobëson masat mbrojtëse kundër përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë.
Turk tha se dëmet e lidhura me inteligjencën artificiale tashmë po ndodhin, duke iu referuar automatizimit të shërbimeve thelbësore, mbledhjes në shkallë të gjerë të të dhënave dhe mbikëqyrjes, si dhe fushatave të dezinformimit të mundësuara nga inteligjenca artificiale.
“Dëmet nga inteligjenca artificiale nuk janë hipotetike – ato tashmë po ndodhin, në mënyrë të dukshme”, tha ai.
Shefi i OKB-së për të Drejtat e Njeriut u bëri thirrje qeverive dhe kompanive kryesore të inteligjencës artificiale që të vendosin standarde të përbashkëta të sigurisë, të kryejnë vlerësime të vazhdueshme të të drejtave të njeriut dhe të vendosin mekanizma të pavarur monitorimi.
Ai gjithashtu u bëri thirrje shteteve ku ndodhen kompanitë kryesore të inteligjencës artificiale që të sigurojnë se ato mbahen përgjegjëse dhe të kërkojnë kontrolle të pavarura teknike të sistemeve të inteligjencës artificiale të afta për të vepruar në mënyrë autonome.
Ai u bëri thirrje qeverive dhe kompanive që të punojnë përmes forumeve shumëpalëshe për të zhvilluar rregulla për inteligjencën artificiale të avancuar, të bazuara në të drejtën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

