Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, ka përsëritur thirrjen e tij ndaj Izraelit që të mos kryejë një sulm ushtarak ndaj palestinezëve në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.
“BE-ja i kërkon Izraelit të mos ndërmarrë veprime ushtarake në Rafah që do të përkeqësonte një situatë tashmë katastrofike humanitare”, shkroi Borrell në platformën sociale X, duke ndarë në postim edhe deklaratat e tij të mëparshme.
Borrell theksoi se të gjithë civilët duhet të mbrohen në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe bëri thirrje që Izraeli të respektojë urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të lëshuar muajin e kaluar.
“Ne përsëri i bëjmë thirrje Hamasit për lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të të gjithë pengjeve”, tha Borrell.
Rreth 1.5 milionë palestinezë të zhvendosur më parë nga ofensiva e Izraelit në Gaza janë strehuar në qytetin Rafah në jug të enklavës, duke kërkuar strehim nga armiqësitë që kanë shkatërruar një pjesë të gjerë të territorit palestinez.
Planet e raportuara të Izraelit për një ofensivë në qytet kanë ngritur shqetësime dhe alarm ndërkombëtar, me shumë vende që kërkojnë vetëpërmbajtje ose anulim të plotë.
Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor, kur sipas Tel Avivit, u vranë rreth 1.200 njerëz, ndërsa ofensiva izraelite në Gaza ka vrarë mbi 28.600 palestinezë, si dhe ka shkaktuar një shkatërrim masiv dhe mungesë të gjërave të nevojshme.
Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës palestineze është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.