Këtë muaj, Google publikoi listën e tij vjetore të kërkimeve që lidhen me shëndetin për vitin 2022. Jeni kuriozë për çfarë janë shqetësuar më së shumti njerëzit sa i takon mirëqenies së tyre?
CNN shkruan se një temë e madhe mungon dukshëm këtë vit: Covid-19. Vitin e kaluar, vaksinimi dhe parandalimi i infeksionit ishin me interes të madh, por këtë vit nuk përmendet koronavirusi në kërkimet kryesore për shëndetin.
Kërkimet e këtij viti janë përqendruar në rimëkëmbjen fizike dhe mendore, si të bëhemi më të fortë fizikisht dhe si të përballemi me çështje si ankthi, depresioni, çrregullimi i hiperaktivitetit të deficitit të vëmendjes dhe çrregullimi obsesiv-kompulsiv.
Ushtrimet në palestër ishin një fokus i madh i njerëzve këtë vit, stërvitjet për peshën trupore dhe ushtrimet për shëndetin mendor. Përdoruesit e Google pyetën po ashtu se si të trajtojnë stresin, si të shmangen sulmet e panikut e deri te kura për depresionin. Ata kërkuan gjithashtu praktika të mira të shëndetit mendor për të vegjlit, të lidhura kryesisht me frymëmarrjen.
Pas një pandemie globale dhe kaosit që u krijua më pas me kthimin në vendet e punës e në shkollë nuk është e habitshme që kërkimet më të shpeshta kanë të bëjnë me shëndetin mendor.