RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Shkëndijat e para të një përçarjeje: ç’po ngjet mes dy mizorëve sionistë?

shkendijat-e-para-te-nje-percarjeje:-c’po-ngjet-mes-dy-mizoreve-sioniste?

Fushata elektorale po çan nga brenda bllokun e djathtë të kryeministrit izraelit

Janë shkëndijat e para të një lufte që mund të bëhet shumë më serioze gjatë fushatës: Benjamin Netanyahu përballë “mikut të tij më të keq”, Ministrit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir.

Përplasja ka shpërthyer në rrjetet sociale, por pas saj fshihet një betejë më e madhe: kush do ta kontrollojë të djathtën izraelite pas zgjedhjeve.

Të enjten në mbrëmje, Bibi u bëri thirrje dy liderëve të partive të ekstremit të djathtë – Ben Gvirit, kreut të “Fuqisë Hebraike”, dhe Bezalel Smotrichut, liderit të “Sionizmit Fetar” – të bashkonin forcat për zgjedhjet.

Synimi ishte të shmangej shpërndarja e votave të së djathtës, në një moment kur çdo mandat mund të vendosë fatin e qeverisë së ardhshme.

Por Ben Gvir e refuzoi propozimin dhe e akuzoi Netanyahun për lojë të dyfishtë. Arsyeja e shqetësimit të kryeministrit është se Smotrich rrezikon të mos e kalojë pragun elektoral.

Nëse kjo ndodh, votat e partisë së tij mund të digjen dhe t’i hapin rrugën kundërshtarit Gadi Eisenkot, i cili prej javësh kryeson sondazhet. Por problemi i Netanyahut nuk është vetëm opozita.

Brenda kampit të tij po shfaqen parti të vogla dhe formacione të reja që rrezikojnë të copëtojnë votën e së djathtës. Ndërkohë, Likud po humbet mbështetje dhe, sipas raportimeve të medias izraelite, Netanyahu ka pranuar në biseda private se situata mund të jetë edhe më e keqe nga sa tregojnë projeksionet.

Ben Gvir reagoi menjëherë. Në thelb, mesazhi i tij ishte: pse të bashkohemi vetëm për të më dobësuar mua dhe pastaj ti të formosh qeveri me Eisenkot-in? Netanyahu iu përgjigj duke e akuzuar se po rrezikonte të gjithë kampin e djathtë.

Por Ben Gviri e çoi përplasjen më tej: “Do të bëj gjithçka që ti të mos formosh qeveri me Eisenkot!”. Dhe ky nuk duket thjesht si një shpërthim nervash. Në median izraelite, ka nisur të qarkullojë ideja se brenda Likud-it dhe rreth kryeministrit po shqyrtohet edhe skenari në të cilin asnjë bllok nuk arrin shumicën prej 61 mandatesh.

Një nga zgjidhjet e mundshme do të ishte një koalicion i gjerë, me rotacion të postit të kryeministrit mes Netanyahut dhe Eisenkotit, ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm.

Por Eisenkoti e ka hedhur poshtë këtë mundësi: “Nuk do të ndodhë!”. Por edhe një skenar i pamundur mund të jetë politikisht i dobishëm.

Ideja mund të synojë të mbjellë dyshimin te votuesit anti-Netanyahu se Eisenkoti, ashtu si Benny Gantz më parë, mund të përfundojë duke hyrë në qeveri me Bibin dhe ta ndihmojë atë të mbijetojë.

Problemi është se ky dyshim ka depërtuar edhe te aleatët e Netanyahut. Ben Gvir nuk pranon më të luajë thjesht rolin e partnerit të vogël. Ai po paraqitet si garantuesi ideologjik i së djathtës dhe kërkon ndikim mbi atë që do të ndodhë pas zgjedhjeve.

Këtu qëndron edhe përmbysja ironike e situatës. Në vitin 2022, Netanyahu shmangte edhe fotografitë me Ben Gvir-in, nga frika se do të largonte votuesit e moderuar.

Në vitin 2026, është Ben Gviri ai që kërkon ta vërë Netanyahun nën kontroll për ditën pas zgjedhjeve. Dhe kjo mund të jetë një zgjedhje historike. Netanyahu ka qenë në pushtet, në një mënyrë ose në një tjetër, për gati dy dekada. Nëse bie këtë herë, ndryshimi do të jetë epokal. tesheshi

Related posts

BE-ja ndihmon Palestinën me 199 milionë euro

Muhamet Ramadani

OKB i ofron Moskës lehtësim të sanksioneve në këmbim të rinovimit të marrëveshjes së grurit

Muhamet Ramadani

Borrell: Ukrainës i duhen më pak duartrokitje, e më shumë armë

admin