RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Shkup, Rama dhe Kovaçevski bisedojnë rreth Procesit të Berlinit

shkup,-rama-dhe-kovacevski-bisedojne-rreth-procesit-te-berlinit

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, zhvilloi një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij shqiptar, Edi Rama, i cili qëndron për vizitë pune në Shkup, raporton Anadolu.

Siç u shprehën dy kryeministrat, në fokus të bisedimeve kanë qenë përgatitjet për samtin e ardhshëm të Procesit të Berlinit që do të mbahet në muajin tetor të këtij viti në Tiranë.

Kryeministri Kovaçevski tha se vendi i tij dhe Shqipëria zhvillojnë një miqësi dhe partneritet tradicional që është shembull në rajon, duke shtuar se rruga evropiane është një synim strategjik i të dy vendeve.

Duke theksuar rëndësinë e Procesit të Berlinit, ai kujtoi se vendet e Ballkanit Perëndimor nënshkruan vitin e kaluar tre marrëveshje rajonale lidhur me lëvizshmërinë. Në të njëjtën kohë, Kovaçevski shprehu mbështetjen e tij për Shqipërinë si kryesuese dhe nikoqire e sivjetme e këtij procesi.

“Përveç nismave dhe mesazheve politike që vijnë nga ky proces, ne si rajon kemi nevojë edhe për përfitime të shpejta, konkrete ekonomike që do të rrisin potencialin ekonomik të rajonit dhe do të zvogëlojnë hendekun midis vendeve kandidate për anëtarësim në BE dhe vendeve anëtare të BE-së, në veçanti vendet e rajonit të Evropës Juglindore. Ne kemi nevojë për diçka që qytetarët do ta ndjejnë si përfitim edhe para anëtarësimit të vendeve në BE, që do të ruajë idenë evropiane dhe përkushtimin ndaj këtij procesi tek të gjithë aktorët e shoqërisë, nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Kovaçevski.

Duke folur për tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ai theksoi se Maqedonia e Veriut është shembull konkret sesi përmes dialogut, veprimit shtetëror dhe marrjes së vendimeve të guximshme mund të tejkalohen sfidat me shtetet fqinje midis të cilave ka çështje të hapura.

“Pikërisht për këtë, me këtë rast, si fqinj i afërt i Kosovës dhe Serbisë, bëjmë thirrje për de-eskalimin e situatës dhe zbatimin e obligimeve ndërkombëtare të marra nga të dyja palët, gjegjësisht zbatimin e marrëveshjes që kanë arritur Serbia dhe Kosova më 27 shkurt në Bruksel dhe marrëveshjes së arritur në Ohër për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”, tha Kovaçevski.

“Ajo që vendet e tjera të BE-së marrin nga BE është e pakrahasueshme”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u shpreh se kanë pasur një diskutim shumë të dobishëm ku është diskutuar rreth samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, nikoqir i të cilit do të jetë Shqipëria.

Ai tha se ka dakordësi të plotë me homologun e tij maqedonas se është i pa krahasueshëm hendeku midis vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në aspektin e mbështetjes financiare të BE-së.

Rama rikujtoi periudhën e fillimit të pandemisë së koronavirusit, duke u shprehur se “BE na la si peshq pa ujë” dhe se janë detyruar të kërkojnë vaksina nga vende tjera, duke theksuar edhe faktin se sa e rëndësishme ishte më pas kur u mundësua mbështetja e BE-së.

“Ka plot sfida të përbashkëta që në mënyrë të caktuar kërkojnë jo vetëm qëndrim politik të përbashkët, por kërkojnë edhe një qasje të përbashkët ndaj qytetarëve të cilët nuk mund të jenë qytetarë të dorës së parë dhe qytetarë të dorës së dytë. Në këtë drejtim, ajo që vendet e tjera të BE-së, ajo që fqinjët tanë në BE marrin nga BE është e pakrahasueshme me atë që ne mund të vëmë në dispozicion të qytetarëve nga burimet e brendshme, sado që ne ato t’i rrisim”, tha Rama.

Ai gjithashtu tha se lajmi i mirë është që Komisioni Evropian po punon në këtë drejtim, duke shtuar se “BE ka nevojë për ne, aq sa kemi nevojë ne për BE-në”.

Rama gjithashtu tha se është diskutuar edhe për samitin e ardhshëm të NATO-s të paraparë të mbahet javën e ardhshme në Vilnius të Lituanisë.

Ai u shpreh se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë anëtarë të NATO-s në një rajon që nuk është i qetë, duke theksuar nevojën e bashkëpunimit dhe të qenurit zëri i një rajoni, e jo thjesht i një vendi.

I pyetur për Ballkanin e Hapur, ai u shpreh se kjo iniciativë ka shërbyer si shtysë i Procesit të Berlinit.

“Ballkanin e Hapur, një mijë herë të kthehesha mbrapa, një mijë herë do ta ribëja. Ballkani i Hapur nuk është një nismë përjashtuese. Ballkani i Hapur është një nga 72 iniciativat që ka në këtë rajon, për të cilat ju edhe nuk keni dëgjuar fare, jam i sigurt, siç edhe unë vetë kur e kam lexuar shifrën 72, jam habitur. Çfarë e keqe i ka ardhur nga Ballkani i Hapur rajonit, përveç të mirave”, tha Rama.

Ndalesa në Maqedoninë e Veriut është e para për kryeministrin shqiptar në kuadër të vizitave në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri Rama gjatë ditës do të qëndrojë edhe në Kosovë, ndërsa të nesërmen ai gjithashtu do të vizitojë edhe Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Serbinë.

Related posts

Origjina e Covid-19, OBSH thirrje Kinës: Publikoni të dhënat nga hulumtimi në tregun kafshëve në Wuhan

admin

Pas insistimit 25 vjeçar, shtëpia ku u krye masakra e Poklekut kthehet në muze

RTI

Armeni, rritet në 16 numri i të vdekurve nga shpërthimi në kryeqytet

admin