Përpjekja qesharake e një shteti për një Islam pa Kur’an
Elis Gjevori, Middle East Eye
Një gjykatë franceze ka lënë në fuqi mbylljen gjashtëmujore të një xhamie pranë Parisit, në një çështje që ka ngjallur shqetësime të reja për mënyrën se si shteti po kontrollon besimin dhe adhurimin islam.
Gjykata Administrative e Montreuil-it rrëzoi të premten përpjekjen për pezullimin e urdhrit të korrikut kundër xhamisë Chanteloup në Aulnay-sous-Bois. Xhamia do të mbetet e mbyllur deri në janar.
Rafik Chekkat, avokat i të drejtave të njeriut që përfaqëson xhaminë, ngriti pyetjen nëse imamët në Francë janë ende të lirë të recitojnë tekstin e shenjtë të Islamit.
“A mund të citojë ende një imam Kuranin në xhaminë ku predikon, në Francë?” — u shpreh Chekkat.
Sipas Chekkat, autoritetet e mbështetën një pjesë të çështjes së tyre te fakti që imamët kishin cituar shtatë pasazhe nga Kurani, si dhe vepra madhore të traditës islame, si “Kopshtet e të devotshmëve” (Rijadus-Salihin) dhe “Dyzet hadithet”.
Veprat në fjalë janë pjesë e trashëgimisë së dijetarit sirian të shekullit XIII, Imam Neveviut, i cili konsiderohet gjerësisht si një prej mendimtarëve më të rëndësishëm të botës muslimane.
Chekkat njoftoi se do të paraqesin ankim përpara Këshillit të Shtetit për të mbrojtur lirinë fetare, lirinë e shprehjes dhe parimin e laicitetit.
Autoritetet kundërshtuan gjithashtu predikimet që përmendnin xhehenemin dhe dënimet e varrit të rezervuara për jobesimtarët, ndonëse mësime të ngjashme janë pjesë e predikimit fetar edhe në kisha e vende të tjera adhurimi.
Gjyqtarët vendosën se prefekti i Seine-Saint-Denis, Julien Charles, nuk kishte kryer shkelje të rëndë dhe qartazi të paligjshme as të lirisë së adhurimit, as të lirisë së shprehjes.
Chekkat i tha AFP-së se ishin shumë të zhgënjyer nga vendimi dhe të befasuar nga përmbajtja e tij, duke shtuar se pjesë të vendimit binin plotësisht ndesh me lirinë fetare, dhe se çështja do të çohej patjetër përpara Këshillit të Shtetit.
Sipas tij, gjykatësi administrativ nuk deshi ta kundërshtonte prefektin e Seine-Saint-Denis, ndërsa përpara Këshillit të Shtetit ai beson se do të kenë më shumë mundësi, pasi procesi atje do të jetë “pak më juridik dhe pak më pak politik”.
Vendimi vjen pas vitesh presioni shtetëror në rritje ndaj institucioneve muslimane. Deri në prill 2022, autoritetet franceze kishin mbyllur 22 xhami brenda 18 muajve, shpesh duke përdorur dokumente të shërbimeve të zbulimit, burimet e të cilave mbeteshin të fshehura.
Qeveria ka shpërbërë gjithashtu organizata muslimane, përfshirë Kolektivin Kundër Islamofobisë në Francë dhe bamirësinë BarakaCity, duke thelluar frikën se Franca po i përdor ligjet e sigurisë për të kufizuar lirinë e besimit të muslimanëve. /tesheshi

