Një shpërthim i antraksit në veri të Zambias ka shkaktuar ngordhjen e 46 hipopotamëve, tetë elefantëve, pesë buajve dhe një krokodili, ndërsa 12 persona janë infektuar me sëmundjen pasi konsumuan mish nga kafshë të egra të ngordhura, të cilat rezultuan pozitive për antraks, transmeton Anadolu.
Koordinatori kombëtar i Njësisë për Menaxhimin dhe Zbutjen e Fatkeqësive, Norman Chipakupaku, tha se personat e infektuar janë duke u trajtuar, ndërsa qeveria ka dërguar një ekip shumësektorial në Rezervatin e Kafshëve të Egra Munyamadzi dhe në zonën e lumit në rrethit Mpika të provincës Muchinga për të frenuar përhapjen e sëmundjes.
“Gjuetia në zonën e prekur duhet të pezullohet përkohësisht derisa mbikëqyrja të përcaktojë situatën e sëmundjes dhe rreziqet që lidhen me të. Çdo ngordhje e pashpjegueshme e kafshëve duhet t’u raportohet menjëherë autoriteteve përkatëse”, tha ai.
Chipakupaku tha se oficerët e policisë për mbrojtjen e kafshëve të egra dhe pikat e kontrollit do të përforcohen për të siguruar vendet ku ndodhen kafshët e ngordhura, për të parandaluar zhvendosjen dhe konsumimin e tyre, si dhe për të përmirësuar raportimin.
Ai gjithashtu i bëri thirrje publikut që të mos konsumojë mish nga kafshët që kanë ngordhur në mënyrë natyrale ose nga shkaqe të panjohura dhe të mos kenë kontakt me trupat e kafshëve të ngordhura.

