RTV AHIRETI
Lajme

Shqipëri, mbahet Samiti Ukrainë – Evropa Juglindore

shqiperi,-mbahet-samiti-ukraine-–-evropa-juglindore

Në Shqipëri po mbahet Samiti Ukrainë – Evropa Juglindore, me pjesëmarrjen e liderëve nga vendet e Evropës Juglindore dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, transmeton Anadolu.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, si bashkëorganizatorë të samitit kanë pritur në ambientet e jashtme të Pallatit të Kongreseve në Tiranë liderët pjesëmarrës në samit.

Përveç presidentit Zelenskyy dhe kryeministrit Rama, pjesë e samitit janë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Krishto.

Rama dhe Zelenskyy mbajtën fjalët e tyre përshëndetëse hapëse të samitit, ndërkohë në fund të punimeve do të mbajnë edhe një konferencë të përbashkët për mediat.

Në fjalën e tij në hapje të samitit, duke folur për luftën Rusi-Ukrainë, Rama tha se kjo është një luftë që as “Ukraina dhe as bashkësia jonë e kombeve nuk e zgjodhën”.

“Rusia neoimperialiste nuk ia ka dalë të përmbysë qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Ukrainës, nuk ia ka dalë të shtypë vullnetin e popullit të Ukrainës të jetojë në një atdhe të lirë, të pavarur dhe demokratik. Vladimir Putini donte të fshinte Ukrainën nga harta për çështje ditësh, por sot Ukraina është më shumë se kurrë e ankoruar në Evropë”, u shpreh Rama.

Kryeministri Rama shtoi se e ardhmja që në Shqipëri shohin është e ardhmja e përbashkët, sipas tij “ku jetojmë në paqe me fqinjët, ku punojmë në bashkëveprim me partnerët e qëndrojmë në miqësi me botën”.

Zelenskyy: “Vizioni jonë për Evropën bazohet tek parimi i dinjitetit të njëjtë”

Në fjalën e tij në hapje të samitit, duke folur edhe për luftën Rusi-Ukrainë, Zelenskyy tha se është shumë e rëndësishme “për gjithë kombet tona, shtet tona të lira, që Putini, regjimi i tij të humbasë, sepse dështimet e tij janë siguria jonë”.

“Vizioni jonë për Evropën dhe jetën në gjitha rajonet e saj bazohet tek parimi i dinjitetit të njëjtë, të barabartë për çdo vend. Nuk duhet të ketë Evropë me dinjitete të ndryshme. Ne besojmë që respekti për çdo komb dhe e drejta e barabartë të kombeve për të patur siguri, si dhe zgjedhjen e pavarur për fatin e tyre duhet të jenë parime universale”, tha Zelenskyy.

Zelenskyy u shpreh se Bashkimi Evropian dhe NATO i kanë ofruar Evropës epokën më jetëgjatë dhe më të fortë të sigurisë, paqes dhe zhvillimit ekonomik. “Ne të gjithë meritojmë në formë të barabartë të jemi pjesë e komunitetit evropian dhe komunitetit euroatlantik”, tha ndër të tjera Zelenskyy.

Nënshkruhet “Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit mes Republikës së Shqipërisë dhe Ukrainës”

Sipas autoriteteve shqiptare, samiti i sotëm në Tiranë është një “takim solidariteti e angazhimi të mëtejshëm të demokracive kundër agresionit rus” në Ukrainë.

Në kuadër të samitit, në Tiranë u nënshkrua sot nga Kryeministri Rama dhe Presidenti Zelenskyy Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit mes Republikës së Shqipërisë dhe Ukrainës.

Sipas Kryeministrisë së Shqipërisë, traktati i shërben konsolidimit të miqësisë mes dy vendeve dhe popujve, përmes zgjerimit dhe forcimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë.

Gjithashtu Zelenskyy i dorëzoi Kryeministrit Rama Urdhrin e Princit “Jaroslav i Urti”, sipas Kryeministrisë së Shqipërisë “për kontributin në mbështetjen” për Ukrainën.

Related posts

Sulmohet një zyrtar policor në Jarinjë

admin

I mbijetuari i Masakrës së Izbicës, Milazim Thaçi: S’e kisha besu që vjen kjo ditë

rezart morina

1.4 milion euro investim i ri në Klinikën e Onkologjisë

admin