RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

“Shqipëria gjithnjë ka mbështetur integritetin territorial të Azerbajxhanit”

“shqiperia-gjithnje-ka-mbeshtetur-integritetin-territorial-te-azerbajxhanit”

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, po realizon një vizitë zyrtare në Azerbajxhan, ndërkohë është pritur me ceremoni shtetërore nga homologu i tij, Ilham Aliyev, transmeton Anadolu.

Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se pas ceremonisë zyrtare të pritjes, dy presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë, i cili u pasua më tej nga një takim i delegacioneve, si dhe nga deklarata e përbashkët për mediat.

“Ndërmarrja e hapave të shpejtë në kuadrin e gazifikimit të Shqipërisë ishin pjesë e bisedës së dy presidentëve. Shqipëria një vend tranzit i gazit është tashmë një realitet. Shqipëria një vend përfitues i transmetimit të gazit është një objektiv, për realizimin e të cilit vendi ynë angazhohet të thellojë edhe më tej bashkëpunimin”, tha presidenti Begaj në deklaratën për shtyp”, thuhet në njoftim.

Begaj ka deklaruar se projekti i TAP-it (Gazsjellësi Trans Adriatik) ka forcuar peshën strategjike të Shqipërisë si portë dhe qendër rajonale për energjinë dhe sipas tij Gazsjellësi Adriatiko-Jonian do të kontribuojë akoma më shumë në rolin e Shqipërisë si shpërndarëse e gazit në rajon.

Sipas njoftimit, Begaj nënvizoi se Shqipëria mirëpret vëmendjen e shtuar të Azerbajxhanit në zhvillimin e projekteve rajonale të energjisë, që do të afronte edhe më tej vendet e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Begaj ka folur edhe për zhvillimet e fundit në rajon, duke theksuar se “Kosova dhe Serbia janë palë negociuese për zgjidhjen e çdo mosmarrëveshjeje dhe të ndërtimit të një fryme të re bashkëpunimi mes njëra-tjetrës. Respektimi i marrëveshjeve të dakordësuara nga palët si mes tyre dhe në forumet ndërkombëtare, duhet të jenë pika orientimi drejt paqes së qëndrueshme.

Ndërkohë, presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka deklaruar se vizita e presidentit Begaj do të forcojë marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve dhe sipas tij, kjo vizitë tregon sesa të ngushta janë marrëdhëniet dhe sa aktiv është dialogu.

“Kemi krijuar një dinamikë mjaft të veçantë në lidhjet dypalëshe, të bazuara në miqësi dhe mbështetje të ndërsjellë. Përkrahim njëri-tjetrin, si në Kombet e Bashkuara, edhe në bashkëpunime të tjera. Kemi diskutuar sot për të ardhmen, marrëdhëniet politike midis dy vendeve dhe veprimtarinë e përbashkëta në organizatat ndërkombëtare. Në agjendën tonë kishte çështje që kanë të bëjnë me ekonominë dhe tregtinë. Faktori kryesor i bashkëpunimit ka të bëjë me sektorin e energjisë”, ka deklaruar Aliyev.

Në njoftim theksohet se pika të tjera të trajtuara gjatë takimeve ishin edhe mbështetja e Shqipërisë për paqen afatgjate në rajonin e Kaukazit Jugor, të ndërmjetësuar nga partnerët e besueshëm dhe organizatat ndërkombëtare.

“Begaj rishprehu presidentit Aliyev se Shqipëria gjithnjë ka mbështetur integritetin territorial të Azerbajxhanit dhe zbatimin e rezolutave të Këshillit të Sigurimit”, thuhet në njoftim.

Këtë vit, shënohen 30 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit.

Related posts

Francë, policia ndërhyn ndaj tifozëve të Marokut që dolën për të festuar fitoren ndaj Portugalisë – VIDEO

admin

Rritet në 99 numri i viktimave nga zjarret në Hawaii

rezart morina

Stoltenberg: Mbrojtja ajrore për Ukrainën, prioriteti kryesor

admin