RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Shqipëria ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Iranin si “kundërpërgjigje ndaj sulmit kibernetik”

shqiperia-nderpret-marredheniet-diplomatike-me-iranin-si-“kunderpergjigje-ndaj-sulmit-kibernetik”

Republika e Shqipërisë ka vendosur ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin, si kundërpërgjigje ndaj sulmit kibernetik ndaj infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Shqipërisë, sulm i ndodhur gjatë muajit korrik të këtij viti, transmeton Anadolu Agency(AA).

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar në rrjetet sociale një video-mesazh lidhur me vendimin e qeverisë shqiptare për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin, ku thekson se “hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit”.

“Në 15 korrikun e shkuar vendi ynë u bë objekt i një sulmi të rëndë kibernetik, i cili kishte si objektiv shkatërrimin e infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, paralizimin e shërbimeve publike, si edhe grabitjen e të dhënave dhe të komunikimeve elektronike nga sistemet qeveritare. Sulmi nuk ia arriti qëllimit. Krahasimisht me objektivat e agresorit, dëmet mund të konsiderohen të vogla. Sistemet u rivunë të gjitha në punë dhe asgjë nuk u zhduk pa kthim”, është shprehur Rama.

Ai shtoi se Këshilli i Ministrave ka vendosur me efekt te menjëhershëm ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike te Iranit. Sipas tij, ky vendim i është bërë i ditur me note zyrtare Ambasadës se Republikës Islamike te Iranit, te cilës i “është kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës se Shqipërisë i të gjithë personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, përshirë edhe personelin e sigurisë”.

“Hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme, se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit, e cila ka angazhuar katër grupe për sulmin ndaj Shqipërisë. Ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar, autor apo bashkëautor i sulmeve të mëparshme kibernetike mbi Izraelin, Arabinë Saudite, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara, Kuvajtin dhe Qipron (Greke). Ne kemi informuar aleatët tanë strategjikë, vendet partnere të NATO-s dhe disa vende të tjera mike, me të cilat kemi ndarë edhe rezultatet e pakundërshtueshme të hetimit që provon burimin e agresionit ndaj vendit tonë”, thekson Rama.

Rama shtoi se kjo masë ekstreme, “aspak e dëshiruar po krejtësisht e detyruar”, sipas tij është në proporcion të plotë me seriozitetin dhe rrezikshmërinë e sulmit kibernetik, i cili kërcënoi paralizimin e shërbimeve publike, fshirjen e sistemeve dhe grabitjen e të dhënave shtetërore, vjedhjen e komunikimeve elektronike brenda sistemit qeveritar dhe nxitjen e pasigurisë e të kaosit në vend.

Ndërkohë, në video-mesazh nuk janë dhënë informacione zyrtare për motivin e sulmit kibernetik.

Kujtojmë se në korrik të këtij viti, sipas autoriteteve shqiptare, ndaj Shqipërisë është kryer një sulm masiv kibernetik, ku dyshohej të ishte i sinkronizuar dhe i sofistikuar nga jashtë Shqipërisë.

Pas evidentimit të sulmit në fjalë, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit e Shqipërisë mbylli përkohësisht aksesin e shërbimeve publike online dhe të disa uebfaqeve qeveritare, për t’i rikthyer përsëri në funksion. /aa

Related posts

Egjipti dhe Turqia caktojnë ambasadorët pas 10 vitesh marrëdhënie të ngrira

Muhamet Ramadani

Trump zotohet të dëbojë emigrantët haitianë nga Ohio nëse zgjidhet president

Muhamet Ramadani

Tërhiqet Lista Serbe, ftesat për seancën në Mitrovicë të Veriut i dërgon me emrin “Republika e Kosovës”

admin