Shqipëria ka nënshkruar Marrëveshjet “Artemis”, duke u bërë pjesë e komunitetit ndërkombëtar të angazhuar për eksplorimin e hapësirës, transmeton Anadolu.
Marrëveshja për Shqipërinë është nënshkruar nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha në selinë qendrore të NASA-s në Washington, ndërkohë në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë zëvendësadministratori i NASA-s, Matt Anderson dhe Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Hapësirën dhe Mjedisin, Connor Tomlinson.
Në një reagim në rrjetet sociale ministri Hoxha ka theksuar se nënshkrimi i marrëveshjeve e bën Shqipërinë pjesë të një komuniteti ndërkombëtar në rritje, sipas tij të angazhuar për eksplorimin paqësor, transparent dhe të përgjegjshëm të hapësirës, në dobi të gjithë njerëzimit.
“Për Shqipërinë, ky moment është më shumë se një nënshkrim. Është një shprehje besimi te shkenca, inovacioni dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Një moment që krijon mundësi të reja për brezin tonë të ri dhe e lidh vendin tonë më ngushtë me teknologjitë, njohuritë dhe partneritetet që po formësojnë të ardhmen”, ka theksuar Hoxha..
Kryediplomati shqiptar ka shtuar se ky hap i shton gjithashtu një dimension të ri dhe të rëndësishëm partneritetit strategjik midis Shqipërisë dhe SHBA-së, “duke pasqyruar angazhimin tonë të përbashkët për inovacionin, progresin dhe bashkëpunimin në kufij të rinj”.
Sipas një njoftimi të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, Shqipëria bëhet vendi i 73-të që i bashkohet kësaj nisme, e cila përfshin një sërë parimesh praktike që synojnë të rrisin sigurinë, transparencën dhe koordinimin e eksplorimit civil të hapësirës në Hënë, Mars dhe më gjerë.

