Shqiptarët e Luginës së Preshevës sot do të protestojnë kundër diskriminimit nga Beogradi.
Protesta ishte paralajmëruar nga Këshilli Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, siç është thënë për shkak të diskriminimit me pasivizimin e adresave nga Serbia.
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në protestë.
Protesta në sheshin e Bujanocit është paraparë të nisë në orën 11:00.
Javë më parë, Komisioni Evropian dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, shprehën shqetësimin për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës nga autoritetet e Serbisë.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme gjermane, kjo tendencë e Serbisë bie ndesh me obligimet që ka ky vend për respektimin e të drejtave të pakicave.
Sipas autoriteteve shqiptare në Luginë, deri më tash janë pasivizuar rreth gjashtëmijë adresa në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Në regjistrimin e fundit të popullsisë në Serbi, kanë dalë rreth 62 mijë shqiptarë.