Para një kundërofensivë të pritshme të Ukrainës për të rimarrë territoret e pushtuara nga Rusia, Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se Rusia ka pësuar mbi 100 mijë viktima luftarake që nga muaji dhjetor, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, gazetarëve u tha se numri i viktimave përfshin mbi 20 mijë vdekje dhe 80 mijë të plagosur. Ai theksoi se rreth gjysma e numri të përgjithshëm të të vrarëve ishin mercenarë të lidhur me grupin ‘Wagner’, kompanisë ushtarake private ruse të lidhur ngushtë me presidentin Vladimir Putin.
Pjesa më e madhe e viktimave kanë ndodhur brenda ose afër qytetit Bakhmut në Ukrainën lindore, ku ka qenë skena e luftimeve të ashpra për muaj të tërë, pasi forcat ruse përpiqen ta rrethojnë dhe ta marrin nën kontroll.
“Është vërtet mahnitëse, këto shifra. Përfundimi është se përpjekja e Rusisë për një ofensivë ka dështuar. Pas muajsh luftimesh dhe humbjesh të jashtëzakonshme, Rusia vazhdon të jetë e fokusuar në një qytet të vetëm ukrainas me vlerë të kufizuar strategjike”, tha Kirby.
Sipas tij, forcat e armatosura të Ukrainës po mbrojnë territorin e tyre me guxim dhe efektivitet dhe po e bëjnë Rusinë të shpenzojë burime të mëdha për përfitime margjinale.
Më 24 prill, kreu i grupit ‘Wagner’, Yevgeny Prigozhin, tha se forcat e tij në qytetin e vijës së parë të qytetit Bakhmut po “përballen me sukses” me ushtrinë ukrainase.
“Detyra jonë (në Bakhmut) është të shtypin ushtrinë ukrainase, jo t’u japim atyre mundësinë të mblidhen në një kundërsulm. Ne po e bëjmë këtë më shumë se me sukses”, tha Prigozhin në Telegram.
Të dielën, Moska pretendoi se forcat e saj morën kontrollin e katër lagjeve të tjera urbane në Bakhmut. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se njësitë e Forcave Ajrore kanë bllokuar forcat ukrainase në periferinë veriore dhe jugore të qytetit.
Kirby tha se shumica e të vdekurve të grupit ‘Wagner’ janë të dënuar të rekrutuar në paraushtarakë me premtimin e heqjes së dënimit të tyre me burg, por në vend të kësaj po përdoren për të “hedhur mish njerëzor në këtë luftë”.