Jordania, Kuvajti, Katari dhe Arabia Saudite të dielën dënuan një vizitë në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar nga ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir dhe një grup hebrenjsh nën mbrojtjen e policisë izraelite, transmeton Anadolu.
Ministria e Jashtme e Jordanisë e përshkroi bastisjen si “një shkelje të hapur të status quo-së ekzistuese historike dhe ligjore në Al-Aksa dhe një përdhosje të shenjtërisë së saj”.
Ministria tha se i refuzon dhe i dënon me forcë bastisjet nga ministrat dhe zyrtarët izraelitë të shoqëruar nga grupe hebraike, si dhe lehtësimin e veprimeve të tilla nga policia izraelite.
Ajo i quajti masat “një shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare dhe së drejtës ndërkombëtare humanitare” dhe paralajmëroi kundër përpjekjeve për të imponuar realitete të reja ose për të ndarë xhaminë në mënyrë kohore dhe hapësinore.
Jordania tha gjithashtu se Izraeli nuk ka sovranitet mbi Kudsin e pushtuar ose vendet e shenjta myslimane dhe të krishtera atje dhe i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të ushtrojë presion mbi Izraelin për të ndaluar shkeljet.
Ajo përsëriti se i gjithë kompleksi Al-Aksa prej 144 dynymësh është një vend adhurimi mysliman dhe se Vakëfi Islamik i Kudsit i lidhur me Ministrinë e Vakëfeve, Çështjeve Islame dhe Vendeve të Shenjta të Jordanisë është autoriteti i vetëm ligjor përgjegjës për administrimin dhe aksesin në të.
Ministria e Jashtme e Kuvajtit në mënyrë të ngjashme e përshkroi vizitën e ministrit Ben-Gvir me një grup hebrenjsh nën mbrojtjen e policisë si “një shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare dhe të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe një akt provokues”.
Ajo bëri thirrje për veprime ndërkombëtare për t’i dhënë fund shkeljeve të tilla dhe përsëriti mbështetjen e saj për të drejtat palestineze, duke përfshirë krijimin e një shteti të pavarur palestinez përgjatë kufijve të vitit 1967 me Kudsin Lindor si kryeqytet.
Ministria e Jashtme e Katarit e quajti bastisjen “një shkelje të hapur dhe një provokim të papranueshëm” kundër ndjenjave të miliona myslimanëve në të gjithë botën.
Ajo tha se masat e njëanshme që synojnë status quo-në historike dhe ligjore në Kuds dhe vendet e tij të shenjta janë të pavlefshme sipas së drejtës ndërkombëtare dhe paralajmëroi se provokimet e vazhdueshme mund të nxisin dhunë të mëtejshme dhe të minojnë stabilitetin rajonal.
Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite gjithashtu e dënoi bastisjen me fjalët më të ashpra, duke e quajtur atë “një shkelje dhe provokim të hapur për myslimanët në mbarë botën”.
Ajo hodhi poshtë veprimet provokuese dhe të paligjshme nga zyrtarët izraelitë dhe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të mbajë përgjegjësinë e saj për të ndaluar shkeljet e ligjit ndërkombëtar dhe humanitar.
Në anën tjetër, 992 pushtues izraelitë hynë në kompleks përpara Yom Kippur, një nga festat kryesore fetare të judaizmit.
Autoritetet palestineze dhe jordaneze kanë paralajmëruar vazhdimisht kundër përpjekjeve për të ndryshuar status quo-në në Al-Aksa ose për të imponuar ndarje kohore dhe hapësinore në vend. Vizita të tilla janë rritur vitet e fundit, veçanërisht gjatë festave hebraike.
– Hamasi dënon hyrjen e paligjshme të Netanyahut
Veçmas, në një deklaratë në mediat sociale, grupi palestinez Hamas dënoi hyrjen e paligjshme të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në vendin e shenjtë islam.
Inkursioni i Netanyahut “në tunelet dhe vendet e gërmimeve nën Xhaminë e bekuar Al-Aksa dhe Murin Al-Buraq, i shoqëruar me deklarata provokuese, përbën një sulm flagrant ndaj identitetit dhe statusit të tij”, tha grupi.
“Xhamia Al-Aksa – në tërësinë e saj, duke përfshirë oborret, sallat e lutjeve, muret dhe portat – do të mbetet një xhami ekskluzivisht islame”, theksoi grupi.
Hamasi gjithashtu vuri në dukje atë që e përshkroi si provë të identitetit islam të vendit.
“Ky është një fakt i vendosur: gërmimet, inkursionet, ritualet dhe përpjekjet e pushtuesit për të imponuar narrativën e tij biblike nuk do të kenë kurrë sukses në ndryshimin e identitetit të vendit – ose zhdukjen e monumenteve të tij”, tha grupi.

