RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Siria, “karta” e re e Netanyahut për të mbetur me çdo kusht në pushtet?

siria,-“karta”-e-re-e-netanyahut-per-te-mbetur-me-cdo-kusht-ne-pushtet?

Shpërthime të fuqishme dhe sulme ushtarake kanë tronditur vendin ditët e fundit

Siria po përballet me një valë të re pasigurisë pas një sërë shpërthimesh masive dhe ndërhyrjeve ushtarake izraelite në territorin e saj, ndërsa vendi përpiqet të rimëkëmbet pas më shumë se një dekade luftë civile dhe pas rënies së regjimit të Bashar Al-Assad.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, shpërthime të fuqishme tronditën një depo armësh të ushtrisë siriane në afërsi të qytetit Al-Eis, në jug të Aleppos, duke lënë të plagosur të paktën katër persona.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve SANA, shkaqet e shpërthimeve mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë larg zonës.

Faisal Mohammad Ali, kreu i mbrojtjes civile në Aleppo, konfirmoi se punonjësit e shpëtimit evakuuan katër të lënduarit, ndërsa gazetari i Al Jazeera-s, Obaida Hitto, raportoi se pas shpërthimit fillestar pasuan disa shpërthime të tjera radhazi që dëgjoheshin nga disa kilometra larg.

Guvernatori i Aleppos, Azzam al-Gharib, u kërkoi banorëve të qëndrojnë në shtëpi pasi të gjitha spitalet dhe shërbimet e emergjencës u vunë në gatishmëri të lartë, kurse Komanda e Sigurisë së Brendshme mbylli rrugët drejt vendngjarjes për sigurinë e civilëve.

Banorët lokalë treguan se dëgjuan një shpërthim gjigand dhe panë flakë të mëdha në horizont. Ky incident pason një seri shpërthimesh të tjera misterioze në depo ushtarake në mbarë vendin, përfshirë ato në Deir Az Zor dhe Idlib ku humbën jetën me dhjetëra persona ditët e kaluara.

Paralelisht me ngjarjet në Aleppo, forcat izraelite kanë konfirmuar zyrtarisht një sërë sulmesh ushtarake në jugperëndim të Sirisë.

Kështu, të dielën ushtria izraelite hodhi në erë objekte ushtarake të përdorura më parë nga regjimi i Assadit pranë Kalanë Jandal në Malin Hermon, si dhe bombardoi me artileri zonat në juglindje të Al-Rafidit dhe pyllin Bir Ajam në krahinën e Quneitras.

Ndonëse nuk u raportua menjëherë për viktima nga këto goditje, ndërhyrjet e shpeshta izraelite – që përfshijnë bastisje, arrestime dhe bombardime – janë dënuar ashpër nga Damasku si shkelje të sovranitetit të saj dhe të Marrëveshjes së Shkëputjes së Forcave të vitit 1974.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, ka deklaruar se shkeljet e integritetit territorial të Sirisë janë të papranueshme, duke i kërkuar Izraelit të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare, në një kohë kur Siria vazhdon të kërkojë tërheqjen e të gjitha forcave izraelite nga territori i saj.

Përshkallëzimi ushtarak përkon me furnizimet e fundit masive me armatim nga Uashingtoni, ku Shtetet e Bashkuara kanë miratuar një paketë prej 2.8 miliardë dollarësh që përfshin blerjen e rreth 40 mijë predhave dhe bombave njëtonëshe (MK-84 dhe BLU-117) për ushtrinë izraelite.

Në prag të zgjedhjeve parlamentare në Izrael të caktuara për muajin e ardhshëm, shumë analistë politikë theksojnë se kryeministri Benjamin Netanyahu po tenton të provokojë një luftë të re në shkallë të gjerë në rajon.

Sipas tyre, përshkallëzimi i konfliktit dhe zgjatja e gjendjes së jashtëzakonshme, shihen nga Netanyahu si e vetmja rrugë politike për të mbajtur pushtetin dhe për të shmangur humbjen në zgjedhje. tesheshi

Related posts

Akademiku serb: Vuçiq e di se Kosovën e kemi humbur në vitin 1999

Muhamet Ramadani

Kurti diskuton me QUINT-in për hapjen e urës mbi Ibër

admin

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë pezullon vendimin mbi zv.kryeministren Belinda Balluku

RTI