RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Si e manipulon dhe censuron Izraeli informacionin

si-e-manipulon-dhe-censuron-izraeli-informacionin

Nga justifikimet pas sulmeve, te censura ushtarake dhe propaganda

Një dëshmi e rrallë nga brenda ushtrisë izraelite, hedh dritë mbi mënyrën se si menaxhohet informacioni kur një sulm ngre dyshime për krime lufte.

Një ushtar, i cili ka folur në mënyrë anonime për organizatën izraelite “Breaking the Silence” dhe disa media, përfshirë “Le Monde”, përshkruan një metodë që, sipas tij, përdoret rregullisht: lidhja e viktimave me Hamasin pas sulmit, me qëllim zbutjen e reagimit ndërkombëtar.

Një nga rastet më domethënëse ndodhi më 25 gusht 2025, kur ushtria izraelite goditi spitalin Nasser në Khan Yunis. Pak minuta më vonë u krye një goditje e dytë.

Në total u vranë 22 persona dhe u plagosën 50 të tjerë, mes tyre pacientë dhe pesë gazetarë të agjencive ndërkombëtare. Një kamerë filmoi sulmin e dytë, i cili goditi edhe gazetarë e ekipe shpëtimi që kishin mbërritur për të ndihmuar viktimat e shpërthimit të parë.

Fillimisht ushtria pretendoi se kamera në çatinë e spitalit përdorej nga Hamasi për të monitoruar lëvizjet e ushtarëve izraelitë. Një hetim i Reuters e kundërshtoi këtë version.

Më pas, sipas dëshmisë së ushtarit, nisi ajo që ai e quan “inkriminim retrospektiv”, pra përpjekja për t’i lidhur viktimat me Hamasin.

Qëllimi, shpjegon ai, është i thjeshtë: nëse viktimat mund të paraqiten si pjesëtarë të Hamasit, përgjegjësia zhvendoset te pala kundërshtare dhe imazhet e sulmit humbasin një pjesë të ndikimit të tyre.

Edhe një lidhje e dobët me organizatën, sipas tij, mund të përdoret për të ndërtuar këtë narrativë. Pas sulmit në Nasser, ushtria njoftoi se gjashtë nga viktimat ishin “terroristë të Hamasit”, ndërsa paralelisht fajësoi organizatën palestineze për përdorimin e objekteve civile.

Ushtria njoftoi edhe një hetim, i cili një vit më vonë vazhdonte të ishte i hapur dhe pa përgjigje përfundimtare. Sipas “Breaking the Silence”, kjo nuk është një praktikë e izoluar.

Raste të ngjashme janë raportuar pas vrasjes së 15 punonjësve palestinezë të shpëtimit pranë Rafahut në mars 2025, si dhe pas sulmit ndaj ekipit të “World Central Kitchen” në prill 2024. Hetime të ndryshme, kanë vënë në pikëpyetje versionet fillestare të ushtrisë.

Lufta për kontrollin e informacionit

Por kontrolli i informacionit shkon përtej justifikimeve pas sulmeve. Që nga fillimi i luftës, më shumë se 200 gazetarë palestinezë janë vrarë, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Në të njëjtën kohë, Izraeli ka vijuar të ndalojë hyrjen e gazetarëve ndërkombëtarë në Gaza, duke kufizuar mundësinë për verifikim të pavarur në terren.

Një instrument tjetër është censura ushtarake. Në vitin 2024, sipas të dhënave të siguruara përmes proceseve gjyqësore, censura e pjesshme preku 6265 artikuj, ndërsa 1635 materiale u ndaluan plotësisht.

Censura duhet të mbetet e padukshme për publikun, pasi mediave u ndalohet të tregojnë se një material është ndryshuar apo censuruar.

Në fund të vitit 2025, parlamenti izraelit miratoi gjithashtu një ligj që lejon sekuestrimin e pajisjeve, mbylljen e zyrave dhe ndalimin e publikimeve të mediave ndërkombëtare nëse ato konsiderohen kërcënim për sigurinë kombëtare.

Kjo strategji lidhet me hasbara-n, propagandën dhe diplomacinë publike izraelite. Megjithatë, në arenën ndërkombëtare rezultatet duket se janë të kufizuara.

Një sondazh i Pew Research Center i publikuar në qershor tregoi se në 18 nga 30 vendet e anketuara, mbi 67 për qind e të rriturve kishin një opinion të pafavorshëm për Izraelin.

Tashmë propaganda po shtrihet edhe te inteligjenca artificiale. Një hetim i Quincy Institute, pretendon se qeveria izraelite ka financuar materiale të hartuara për të ndikuar te sistemet e inteligjencës artificiale, dhe përmes tyre te mënyra se si qytetarët amerikanë marrin informacion për Izraelin.

Ushtria izraelite i ka kundërshtuar akuzat, duke thënë se sulmet justifikohen mbi bazën e informacionit që komandantët kanë përpara se të kryhen dhe se vlerësimet pas sulmit nuk zëvendësojnë kriteret ligjore paraprake. /tesheshi

Related posts

Shefi i Zyrës së BE në Kosovë: Drafti i Asociacionit të dërgohet në Kushtetuese, tre udhëheqësit premtuan themelimin

admin

Mirë së erdhe në Islam motër Medina

admin

Këshilltari kryesor i Putinit: ja pse Lindsey Graham u vra nga Izraeli!

Irfan Jahiu