RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Si mund të përfitoni subvencion për izolimin e shtëpisë?

si-mund-te-perfitoni-subvencion-per-izolimin-e-shtepise?

Me qëllim kursimin më të madh të energjisë dhe rritjen e mirëqenies në shtëpitë individuale, Qeveria e Kosovës ka vendosur të subvencionojë rreth dy mijë familje për izolimin e shtëpive të tyre.

Ky subvencion do të përfshijë koston e izolimit të jashtëm të shtëpisë, ndërrimin e dritareve dhe të derës së hyrjes, si dhe izolimin e kulmit.

Aplikimi në thirrjen për “masa të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit” mund të bëhet përmes platformës elektronike eKosova, në seksionin “Grante dhe subvencione”.

Qytetarët mund të aplikojnë nga 8 gushti deri më 25 shtator 2023. Ata, të cilët i plotësojnë kriteret, do të përfitojnë një subvencion prej 45 për qind të kostos së investimit, e kufizuar në shumën prej 5.500 eurosh.

Për këtë projekt janë ndarë gjithsej 10 milionë euro. Projekti mbështetet nga Bashkimi Evropian, në kuadër të programit IPA – Pako për Mbështetjen e Energjisë, i aranzhuar nga Qeveria e Kosovës dhe i zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE).

Subvencion më i madh për gratë pronare

Pronat, të cilat janë në bashkëpronësi të bashkëshortëve ose në pronësi të grave, do të subvencionohen me 50 për qind të kostos së investimit.

Për të vërtetuar se një shtëpi është në pronësi të një gruaje, ose në bashkëpronësi nga bashkëshortët, në sistem të aplikimit duhet të futet edhe certifikata e pronës, e cila nuk duhet të jetë më e vjetër se gjashtë muaj.

Kush ka të drejtë aplikimi dhe cilat janë kriteret?

Të drejtë aplikimi për të përfituar subvencion kanë të gjithë qytetarët, të cilët i përmbushin kriteret e përcaktuara nga FKEE-ja.

Aplikimet do të trajtohen mbi bazën “kush vjen i pari, shërbehet i pari”, për sa kohë që ka fonde të lira, apo që buxheti të rishikohet nga FKEE-ja.

Kusht i detyrueshëm për të përfituar nga subvencioni është izolimi termik i mureve të jashtme të shtëpisë.

Kriter tjetër është që shtëpia të jetë e banueshme, si dhe në 24 muajt e fundit të ketë konsum të energjisë elektrike prej së paku 250 kilovatësh orë për muaj.

Për të përfituar nga subvencionimi, kusht kyç është që shtëpia të mos ketë izolim termik, ose të jetë nën kërkesat minimale teknike – që përfshijnë: trashësi të izolimit të mureve të jashtme nën 8 centimetra, izolim termik të kulmit nën 10 centimetra, ose dyer dhe dritare joefiçiente.

Auditorët e energjisë

Për të vërtetuar se shtëpia nuk është e izoluar, ose është pjesërisht e izoluar, aplikuesit i rekomandohet të angazhojë një auditor të certifikuar të energjisë.
Institucionet e Kosovës kanë krijuar një listë me emrat e auditorëve të energjisë, të cilët mund t’i kontaktojnë qytetarët.

Auditorët e certifikuar të energjisë do të kryejnë inspektim të shtëpisë së aplikuesit, për të analizuar gjendjen ekzistuese. Ata do të ofrojnë rekomandime për instalimin e masave të nevojshme të efiçiencës së energjisë.

Auditori i energjisë do të kompensohet me një shumë shtesë të subvencionit. Kostoja e pranuar për një raport të auditimit të energjisë është kosto fikse, pavarësisht nga madhësia e ndërtesës ose vendndodhja gjeografike e shtëpisë së aplikuesit.

Tarifa fikse që do ta paguajë FKEE-ja, në emër të auditimit të energjisë, është deri në 150 euro.

Në rast se aplikuesi, për çfarëdo arsye, nuk ka gjetur një auditor të certifikuar të energjisë, për të bërë auditimin, ai aplikacion do të vendoset në listë të pritjes.

Aplikacionet e dorëzuara pas 25 shtatorit nuk do të merren në shqyrtim nga FKEE-ja.

Fondi, po ashtu, ruan të drejtën që të mbyllë afatin e aplikimit edhe para kësaj date, në rast se arrihet kuota e buxhetit në dispozicion.

Paraqitja e kërkesës për ndarjen e subvencionit

Pas përfundimit të punimeve, pronari i shtëpisë njofton FKEE-në se ka përfunduar zbatimin e masave të aprovuara, dhe dorëzon formularin përkatës për ndarjen e subvencionit.

Përveç formularit për ndarje, përfituesi duhet të sigurojë edhe faturën ose marrëveshjen e nënshkruar me punëkryesin.

Kërkohet, po ashtu, lëshimi i faturës me të gjitha detajet e masave të zbatuara të efiçiencës së energjisë, që korrespondojnë me materialet dhe sasitë e përmendura në paramasë dhe parallogaritje.

Aplikuesi duhet, gjithashtu, të paraqesë dëshminë e transferimit bankar, për të treguar se përfituesi ka paguar punëkryesin sipas faturës.

Dorëzimi i këtyre dokumenteve është thelbësor për të siguruar verifikimin e duhur të kërkesës për ndarje të subvencionit.

Brenda 30 ditësh, nga data e aplikimit për rimbursim, të gjitha pagesat për përfituesin do të bëhen përmes transferimit bankar, në xhirollogarinë bankare të përfituesit.

Keqpërdorimi i fondeve

Në rast të çfarëdolloj keqpërdorimi të fondeve ose mospërputhjeje me parimet e përcaktuara nga FKEE-ja, përfituesi obligohet që shumën e subvencionuar ta kthejë në llogarinë e FKEE-së, brenda dhjetë ditësh nga data e lëshimit të kërkesës për kthim.

Sipas legjislacionit në fuqi, aplikuesi do t’i nënshtrohet procedurave të mëtejshme ligjore.

Nevoja për kursimin e energjisë

Statistikat tregojnë se më së shumti energji elektrike në Kosovë shpenzon sektori i amvisërisë – rreth 40 për qind të konsumit të përgjithshëm.

Kosova nuk arrin ta plotësojë të gjithë kërkesën për furnizim me rrymë nga gjenerimi i brendshëm i energjisë elektrike: Vendi ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavatë rrymë në orë, ndërsa nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavatë në orë. Kjo diferencë importohet nga jashtë.

Vitin e kaluar, Kosova u përfshi në një krizë energjetike. Qeveria vendosi masa emergjente për energji, të cilat përfshinin masa të kursimit të energjisë elektrike nga të gjitha institucionet.

Nga 1 prilli i sivjetmë, në Kosovë kanë hyrë në fuqi tarifat e reja të energjisë elektrike, me rritje prej 15.4 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve./REL/

Related posts

Policia e Londrës thotë se po përgatitet për protesta të tjera rreth Palestinës

admin

Morën kryesinë e Këshillit të Sigurimit, Përfaqësuesi i Rusisë në OKB: S’mund të ketë fitues të një lufte bërthamore

admin

PDK kërkon zgjedhje të parakohshme sa më parë

admin