RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Si mund të transformohet një qytet për t’i mbijetuar 50 gradëve?

si-mund-te-transformohet-nje-qytet-per-t’i-mbijetuar-50-gradeve?

Plani i Parisit: më pak asfalt, më shumë pemë, ujë dhe hapësira të freskëta

Parisi nuk po përgatitet më për verën aktuale, por për atë të së ardhmes.

Kryeqyteti francez ka nisur një nga projektet më ambicioze të përshtatjes klimatike në Europë, duke u bazuar në një skenar që deri pak vite më parë dukej i pamundur: temperatura që mund të arrijnë deri në 50 gradë Celsius.

Ky nuk është një parashikim i sigurt, por një skenar planifikimi i bazuar në studime të institucioneve shkencore franceze, sipas të cilave temperatura të tilla nuk mund të përjashtohen deri në fund të shekullit nëse ngrohja globale vazhdon me ritmet aktuale.

Një qytet që dikur njihej për pranverat e buta dhe verat relativisht të freskëta, sot po rishikon të gjithë mënyrën se si është ndërtuar.

Temperaturat mbi 40 gradë janë bërë gjithnjë e më të zakonshme, ndërsa shkencëtarët paralajmërojnë se klima e Parisit në dekadat e ardhshme mund të ngjasojë me atë të Andaluzisë.

Pasiguria klimatike mori një dimension të ri pas verës së vitit 2003, kur një valë ekstreme e të nxehtit shkaktoi rreth 15 mijë viktima në Francë, mbi një mijë prej tyre vetëm në zonën e Parisit.

Më pas, episode të tjera ekstreme bindën autoritetet se temperaturat e larta nuk janë më një emergjencë e përkohshme, por një problem afatgjatë urban.

Strategjia e Parisit bazohet në një parim të thjeshtë: jo të ftohet qyteti me mijëra kondicionerë, por të parandalohet mbinxehja e tij. Objektivi kryesor është reduktimi i asfaltit dhe betonit, materialet që thithin nxehtësinë gjatë ditës dhe e çlirojnë atë gjatë natës.

Një nga projektet simbol është transformimi i oborreve të shkollave, të njohura si “Cours Oasis”. Hapësirat e mëparshme të mbuluara me beton po kthehen në mini-parqe urbane me pemë, kopshte, zona me hije, sipërfaqe që thithin ujin dhe hapësira për lojëra.

Studimet kanë treguar se këto ndërhyrje përmirësojnë ndjeshëm temperaturën lokale dhe krijojnë ambiente më të jetueshme për fëmijët. Por plani nuk kufizohet vetëm te shkollat.

Parisi ka krijuar një rrjet me mbi 1400 “ishuj freskie”, që përfshijnë parqe, kopshte, biblioteka, muze, pishina dhe ndërtesa publike ku qytetarët mund të strehohen gjatë valëve të të nxehtit.

Qyteti po mbjell mijëra pemë të reja, po shndërron sheshe dhe rrugë në zona të gjelbra dhe po zëvendëson gradualisht sipërfaqet e padepërtueshme me materiale që lejojnë depërtimin e ujit.

Edhe ndërtesat publike po ndryshojnë, me çati të lyera me ngjyrë të gjelbër, mbulesa reflektuese dhe fasada me bimësi për të ulur temperaturat pa rritur përdorimin e energjisë.

Edhe Sena është pjesë e kësaj strategjie. Pas dekadash pastrimi të ujërave, lumi po rikthehet si hapësirë publike ku njerëzit mund të freskohen gjatë ditëve të nxehta, duke u bërë pjesë e një sistemi më të gjerë klimatik urban.

Megjithatë, sfida më e madhe mbeten periferitë e Parisit, ku miliona banorë jetojnë në zona me pak pemë, shumë beton dhe ndërtesa të ndërtuara në një kohë kur problemi kryesor ishte ruajtja e nxehtësisë në dimër, jo mbrojtja nga vapës ekstreme.

Ekspertët paralajmërojnë se edhe masat më të avancuara nuk mund ta eliminojnë plotësisht rrezikun. Vala e të nxehtit ekstrem të këtij viti, po tregon se përshtatja duhet të përshpejtohet, por gjithashtu se pa këto ndërhyrje pasojat mund të ishin edhe më të rënda.

Mësimi i Parisit është se qytetet e së ardhmes nuk do të mbrohen nga një projekt i vetëm gjigant, por nga mijëra ndryshime të vogla: një pemë më shumë, një rrugë pa asfalt, një park i ri, një çati e gjelbër apo një burim uji.

Përballë një klime që po ndryshon me shpejtësi, Parisi po përpiqet të ndërtojë një qytet jo për temperaturat e së kaluarës, por për botën e re që po vjen. /tesheshi

Related posts

Presidenti koreano-jugor: Seuli i vendosur të zgjerojë lidhjet strategjike me Ankaranë

RTI

Meloni: Italia dhe Turqia, dy aktorët kryesorë në Mesdhe

admin

Aksion policor në Kondovë të Shkupit

admin