Ankaraja po redukton varësinë nga SHBA dhe zgjeron ndikimin e saj në Lindjen e Mesme
Turqia po ndërmerr një seri masash ekonomike, energjetike dhe gjeopolitike, të cilat analistët i interpretojnë si pjesë të një strategjie më të gjerë për t’iu kundërvënë zgjerimit të ndikimit izraelit në Lindjen e Mesme.
Sipas kësaj qasjeje, Ankaraja e sheh veten si një nga objektivat kryesorë të transformimeve që po ndodhin në rajon pas luftës në Gaza.
Një nga vendimet më domethënëse është ulja drastike e investimeve turke në obligacionet e qeverisë amerikane. Vetëm gjatë muajit mars, Turqia e reduktoi vlerën e tyre nga 16 miliardë dollarë në vetëm 1.8 miliardë dollarë.
Zyrtarisht, ky vendim u justifikua me nevojën për të mbrojtur rezervat valutore dhe për të përballuar zhvlerësimin e vazhdueshëm të lirës turke. Megjithatë, shumë ekspertë besojnë se kjo lëvizje kishte edhe një mesazh politik, duke pasur parasysh përkeqësimin e marrëdhënieve mes Ankarasë, Uashingtonit dhe Tel Avivit.
Presidenti Recep Tayyip Erdogan e ka bërë të qartë vizionin e tij, duke folur hapur për rikthimin e ndikimit turk në hapësirat e dikurshme të Perandorisë Osmane dhe duke e paraqitur vendin si një nga fuqitë kryesore të rendit të ri ndërkombëtar.
Një shtyllë tjetër e strategjisë turke është bashkëpunimi energjetik me Rusinë. Centrali bërthamor i Akujusë, i ndërtuar nga kompania ruse Rosatom, konsiderohet si një nga projektet më të rëndësishme energjetike të Turqisë.
Kur të hyjë plotësisht në funksion, ai pritet të mbulojë rreth dhjetë për qind të nevojave të vendit për energji elektrike. Pavarësisht investimeve në energjinë e rinovueshme, Ankaraja vazhdon ta konsiderojë partneritetin me Moskën si një element thelbësor të sigurisë së saj energjetike.
Lufta mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, ka krijuar mundësi të reja për Turqinë. Pasiguria në qendrat financiare të Gjirit Persik ka shtyrë shumë investitorë të kërkojnë destinacione alternative, ndërsa qeveria turke ka miratuar një paketë të gjerë reformash fiskale për të tërhequr kapital të huaj.
Paketa përfshin përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat e huaja për 20 vjet, taksa shumë të ulëta mbi trashëgiminë, procedura të përshpejtuara për fitimin e shtetësisë dhe lehtësira të shumta për bizneset ndërkombëtare.
Një nga objektivat kryesore është shndërrimi i Stambollit në një qendër financiare ndërkombëtare, e aftë të konkurrojë me Dubain dhe qendrat e tjera ekonomike të rajonit.
Në të njëjtën kohë, marrëdhëniet me Izraelin po përkeqësohen. Ministri izraelit i Kulturës dhe Sportit, Miki Zohar, deklaroi se Turqia duhet të trajtohet si një shtet armiqësor, ndërsa ish-kryeministri Naftali Bennett paralajmëroi për shfaqjen e një “kërcënimi të ri turk”.
Këto deklarata kanë forcuar bindjen e Ankarasë se po përballet me një rikonfigurim të gjerë strategjik në Lindjen e Mesme. Në këtë kontekst, autoritetet turke i kushtojnë rëndësi të veçantë edhe teorisë së ashtuquajtur të “Izraelit të Madh”, sipas së cilës ndikimi i Tel Avivit mund të shtrihet nga Nili deri në lumin Eufrat.
Turqia ndodhet pikërisht në kufirin verior të kësaj hapësire gjeopolitike dhe kontrollon Bosforin, një nga korridoret detare më të rëndësishme në botë.
Për Ankaranë, shitja e obligacioneve amerikane, forcimi i partneritetit me Rusinë dhe zgjerimi i ndikimit ekonomik në rajon nuk janë vendime të rastësishme. Ato përfaqësojnë pjesë të një strategjie më të gjerë, me të cilën Turqia synon të ruajë pozicionin e saj në një Lindje të Mesme gjithnjë e më të paqëndrueshme. tesheshi

