RTV AHIRETI
Pytje & Përgjigje

Si të bëhem i rregullt në faljen e namazeve?

si-te-behem-i-rregullt-ne-faljen-e-namazeve?

Pyetja:

Më këshilloni si të bëhem namazli i rregullt. Fal xhumanë por edhe ndonjë vakt kur kam kohë.

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Merakosja juaj na gëzon, sepse jeni në momentet kur po kërkoni forcimit të lidhjes me Krijuesin tuaj.

Gjëja e parë me të cilin do t`ju këshillonim është se ju duhet ta kuptoni se në fenë tonë, pas imanit (besimit) të cilin e dëshmon njeriu me fjalën: “La Ilahe Ilallah, Muhamedurr Rresulullah”, ibadeti më i vlefshëm dhe më i domosdoshëm është namazi. Namazi është shtylla e fesë, është kushti i dytë i Islamit.

Me të vërtetë ky adhurim është prej adhurimeve themelor dhe më të rëndësishme që duhet të kryejë besimtari. Prandaj, ju këshillojmë që sa më shpejt të filloni praktikimin e faljes së pesë kohëve të namazeve, pasi kjo është e domosdoshme për besimtarin.

Transmetohet nga Ibn Umeri se i Dërguari ynë, ﷺ, ka thënë: “Islami është i ndërtuar mbi pesë shtylla: mbi dëshminë se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe vizita e Qabes për kë ka mundësi.” [1]

Allahu i Madhërishëm në ajete të shumta i ka nxitur besimtarët që ta kryejnë atë sa më mirë. Ai në Kuran thotë:
Të kthyer tek Ai (Allahu), kijani frikën Atij, kryejeni më së miri namazin dhe mos jini nga idhujtarët të cilët e përçanë fenë duke u ndarë në grupacione ku çdo palë i gëzohet idesë së tij.” (Rrum31)

Dhe thotë: “E nuk qenë të urdhëruar (njerëzit) për diçka tjetër përveçse ta adhurojnë Allahun sinqerisht me përkushtim, vetëm ndaj Tij ta falin më së miri namazin, ta japin zekatin. Kjo është feja e drejtë.” (Bejineh5)

Dhe ka thënë: “Thuaju robërve të Mi të cilët kanë besuar: ta falin namazin dhe të japin nga ajo që Ne i kemi furnizuar, të japin fshehtas dhe haptas para se të vijë ajo ditë ku nuk ka shitblerje dhe as lidhje të ngushtë.” (Ibrahim31)

Gjithashtu, nga lutjet e të dashurit të ngushtë të Mëshiruesit, Ibrahimit alejhi selam, ishte: “O Zoti im, më bëj mua falës të namazit, po ashtu dhe pasardhësit e mi, o Zoti ynë, na e prano lutjen!” (Ibrahim40)

Vëlla i nderuar, këto citate janë vetëm disa nga ato që nxisin dhe dëshmojnë domosdoshmërinë e faljes së pesë kohëve të namazeve. Prandaj ju këshillojmë që ta filloni faljen e rregullt sa më shpejt, pasi këtu është fitimi juaj, të cilit do t’i gëzoheni në këtë botë dhe në botën tjetër. Dijeni se Ditën e Gjykimit njeriut nuk do t’i bëjë dobi as pasuria e as pasardhësit, por do ta shpëtojnë vetëm veprat e mira të cilat i ka manifestuar si nënshtrim ndaj krijuesit të Tij.

Allahu i Lartësuar thotë: “Ditën kur nuk bën dobi as malli, as fëmijët (por bën dobi) Vetëm kush i paraqitet Zotit me zemër të shëndoshë.” (Shuara, 88-89)

Zemra e shëndoshë e përmendur në këtë ajet ka për qëllim njeriun i cili ka pasur besim të dëshmuar edhe me vepra.

– Ndërsa problemin e mendimeve të cilat u vijnë gjatë namazit e kemi shtjelluar në disa përgjigje, prandaj kthehuni aty.

Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi

Related posts

Pagimi i studimeve nga ana e vjehrrit, a llogaritet si pjesë e prikës?

admin

A është gjynah të shkundet mbulesa e sofrës së bukës apo e tavolinës nga dritarja natën?

rezart morina

A lejohet që femra muslimane të studiojë drejtimin e infermierisë?

admin