Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, theksoi se ka dyshime për përparimin e procesit të anëtarësimit të vendit të saj në Bashkimin Evropian, duke e përshkruar rrugën si “një lloj maratone plot pengesa drejt Brukselit”.
Në margjina të Forumit të Diplomacisë në Antalya (ADF) 2026, Siljanovska-Davkova zhvilloi intervistë me Agjencisë Anadolu, e cila është Partner Global i Komunikimit në këtë ngjarje.
Siljanovska-Davkova tha se lidhjet turko-maqedonase janë “interesante dhe të thella”, duke vlerësuar mbështetjen e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA) për vendin e saj.
“Marrëdhëniet turko-maqedonase janë të shkëlqyera. Nuk mjafton të themi se kemi marrëdhënie relativisht të mira. Nuk ka asnjë fushë ku të mos kemi zhvilluar marrëdhënie të mira, përfshirë ekonominë, kulturën dhe turizmin”, tha ajo.
Duke theksuar se Turqia dhe Maqedonia e Veriut janë “partnerë të shkëlqyer në NATO”, Siljanovska-Davkova tha se marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Shkupit mund të zhvillohen tutje fillimisht në fushën e mbrojtjes.
Ajo shtoi se synojnë të forcojnë bashkëpunimin edhe në fusha si infrastruktura, lufta kundër ndotjes së mjedisit dhe çështjet klimatike, duke theksuar se pakicat turke shërbejnë si urë lidhëse mes Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë.
Siljanovska-Davkova theksoi se pakicat turke janë qytetarë besnikë të vendit të tyre dhe gëzojnë respekt, duke shtuar: “Kur flitet për Ballkanin, historikisht dhe gjeografikisht nuk mund të flitet pa përmendur Turqinë”.
– Nga multipolariteti në “multilateralizëm”
Duke theksuar se Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u krijuan si projekte paqeje, Siljanovska-Davkova tha se megjithatë, “ne po përballemi me luftë”.
Ajo theksoi se dialogu duhet të forcohet në botë dhe se duhet t’u jepet fund monologëve të personaliteteve autoritare, duke shtuar:
“Multipolariteti nënkupton një arenë ku mund të shfaqen aktorë të paparashikueshëm dhe atëherë askush nuk e di se me çfarë do të përballemi nesër. Si mund ta parandaloni diçka të panjohur për ju? Diplomacia është diçka për të cilën kemi shumë nevojë. Problemet ndërkombëtare meritojnë një vëmendje më të thellë. Disa luftëra mund të parandalohen. Imagjinoni sa fëmijë të tjerë mund të jetonin. Dialogu institucional është i domosdoshëm. Luftoni për Kombet e Bashkuara”.
– Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian
Duke vlerësuar procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, Siljanovska-Davkova përsëriti se ka dyshime për përparimin e tij dhe e përshkroi si “një maratonë plot pengesa drejt Brukselit”.
Ajo rikujtoi se vendi fitoi statusin e “kandidatit” në vitin 2005 dhe se pas 20 vitesh procesi ka mbetur i bllokuar, duke theksuar se shkaku janë disa çështje historike dhe kulturore të ngritura nga disa vende fqinje.
“Edhe pse sipas vendimeve të Bashkimit Evropian, disa shtete anëtare nuk duhet të përfshihen në negociata, ato na pengojnë ose përdorin mekanizmin e vetos sipas kritereve të Kopenhagës. Kjo situatë është e çuditshme, artificiale dhe jo shumë miqësore”, deklaroi presidentja.
– Diplomacia parandaluese
Ajo theksoi se Forumi i Diplomacisë në Antalya bashkon më shumë pjesëmarrës dhe promovon tolerancën, paqen dhe arsimin.
“Diskutimet janë gjithmonë të shëndetshme, duhet të mbështeten dhe të kuptohen mirë”, tha Siljanovska-Davkova.
Ajo shtoi se në forum ka zhvilluar shkëmbime mendimesh me panelistë të kualifikuar dhe e cilësoi këtë aktivitet si një nga ngjarjet e rralla që promovojnë diplomacinë parandaluese.

