RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Siria dënon vizitën e shefit të mbrojtjes izraelite në zonën e pushtuar tampon

siria-denon-viziten-e-shefit-te-mbrojtjes-izraelite-ne-zonen-e-pushtuar-tampon

Ministria e Jashtme e Sirisë dënoi të martën hyrjen e paligjshme të ministrit izraelit të Mbrojtjes, Israel Katz, në territorin sirian, duke e cilësuar atë si “provokim të qartë”, transmeton Anadolu.

Ministria e bëri këtë deklaratë pas vizitës së Katzit në zonën tampon në territorin sirian, të cilën forcat izraelite e pushtuan vitin e kaluar.

Vizita e Katzit vjen dy ditë pas një takimi në Jordani, që synonte uljen e tensioneve, mes ministrit të Jashtëm sirian Asaad Hassan al-Shaibani dhe shefit të inteligjencës izraelite Roman Gofman.

Në deklaratën e saj, ministria dënoi “hyrjen e paligjshme të ministrit izraelit të Mbrojtjes … një shkelje flagrante të sovranitetit dhe integritetit territorial të Sirisë”.

Ky veprim, shtoi ajo, përbën “provokim të qartë, shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së OKB-së, si dhe shkelje të Marrëveshjes së Shkëputjes së Forcave të vitit 1974” mes Sirisë dhe Izraelit.

Ministria i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta detyrojë Izraelin t’i japë fund shkeljeve të përsëritura dhe të tërhiqet nga territori i pushtuar sirian.

Ushtria izraelite mori kontrollin e zonës tampon vitin e kaluar – një veprim që Damasku e cilësoi si shkelje të Marrëveshjes së Shkëputjes së Forcave të vitit 1974 mes dy vendeve.

Pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Asadit në fund të vitit 2024, Izraeli e shpalli Marrëveshjen e Shkëputjes së Forcave të pavlefshme, duke marrë kontrollin e zonës tampon dhe të pozicioneve të tjera, përfshirë anën siriane të malit Hermon.

Që atëherë, Izraeli ka kryer inkursione të shpeshta në jug të Sirisë, veçanërisht në zonat rurale të provincave Daraa dhe Quneitra, ku ka arrestuar banorë dhe ka ngritur pika kontrolli ushtarake.

Related posts

Mucunski në Forumin e Dubrovnikut kërkon proces të besueshëm dhe të bazuar në meritë për zgjerimin e BE-së

Muhamet Ramadani

Një lider i Hamasit vritet në ditën e tretë të operacionit izraelit në Bregun Perëndimor

admin

SHBA, mbi 30 komunitete në Minnesota në shënjestër të një sulmi kibernetik ndaj sistemeve të ujësjellësit

Irfan Jahiu