RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Spiropali mbi ftesën e Trumpit për Bordin e Paqes: Është një vlerësim i lartë për rolin e ri të Shqipërisë

spiropali-mbi-ftesen-e-trumpit-per-bordin-e-paqes:-eshte-nje-vleresim-i-larte-per-rolin-e-ri-te-shqiperise

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka deklaruar se ftesa për Shqipërinë e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, mbi Bordin e Paqes është një vlerësim i lartë për rolin e ri që Shqipëria ka marrë ndër vite, raporton Anadolu.

Në një konferencë për mediat, Spiropali tha se përmes një letre për Kryeministrin Rama, Trump ka ftuar Republikën e Shqipërisë për t’iu bashkuar një organizmi të ri ndërkombëtar të quajtur Bordi i Paqes, në cilësinë e vendit anëtar themelues.

“Në krye e mbi të gjitha, duhet pranuar se kjo ftesë është një vlerësim i lartë, për rolin e ri që Shqipëria ka marrë ndër vite në çështjet e paqes, sigurisë dhe stabilitetit, në rajonin tonë sigurisht, por edhe në gjirin e organizatave ndërkombëtare. Nuk ka dyshim se ftesa e presidentit të Amerikës është edhe një vlerësim i drejtpërdrejtë për lidershipin e kryeministrit Edi Rama, i cili është ftuar personalisht si anëtar i Bordit të Paqes”, ka deklaruar ajo.

Duke iu referuar reagimeve dhe debateve në Shqipëri për ftesën në fjalë, ajo u shpreh se ndërkohë që Shqipëria ftohet si bashkë-ndërtuese e një mekanizmi të ri ndërkombëtar, sipas saj i cili synon ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe funksionale në botë, “duke nisur me një nga sfidat më të ndërlikuara dhe më të ndjeshme të sigurisë globale, siç është e ardhmja e rripit të Gazës, opinioni publik shqiptar sulmohet nga brenda me gjithëfarë fantazish të kundërshtarëve të kësaj qeverie”.

– Kjo ftesë konfirmon forcën dhe besimin e ndërsjellë në partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së

Ministrja Spiropali ka shtuar se e shikojnë këtë nismë si një përpjekje të fortë dhe fisnike për të shkuar përtej deklaratave politike apo angazhimeve formale, në kërkimin e zgjidhjes së qëndrueshme të konflikteve.

Spiropali ka theksuar se kjo ftesë e drejtpërdrejtë e presidentit të SHBA-së për kryeministrin e Shqipërisë konfirmon forcën dhe besimin e ndërsjellë në partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së.

“Ne nuk e dimë ende sa janë udhëheqësit e ftuar nga Presidenti Trump, në kohë e kapacitete të ndryshme apo do të ftohen, për t’ju bashkuar nismës së tij globale, por dimë me siguri që as në Argjentinë e as në Turqi, ku udhëheqësit e atyre vendeve ku e ku më të mëdha se sa vendi ynë e kanë njoftuar publikun për ftesën, nuk ka pasur kurrfarë debati mbi madhësinë e numrit të anëtarëve të Bordit të Paqes. Përkundrazi, përfshirja e vendit ndër të ftuarit është konsideruar diçka pozitive, e mirëpritur dhe e pranuar me falënderim”, ka shtuar ajo.

Presidenti i SHBA-së, Trump, njoftoi disa ditë më parë formimin e Bordit të Paqes për Rripin e Gazës.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë njoftoi gjithashtu anëtarët e komitetit të ri “teknokratik” që do të mbikëqyrë tranzicionin e pushtetit në Rripin e Gazës, si pjesë e planit me 20 pika të Trumpit për t’i dhënë fund luftës gjenocidale të Izraelit në Gaza.

Related posts

Pamjet që me gjasë po sjellin tërbim në Uashington

RTI

Finlanda blen sistemin e mbrojtjes izraelite pas hyrjes në NATO

Muhamet Ramadani

Mësuesit në grevë në rajonin Ile-de-France të Parisit për shkak të shkurtimeve të vendeve të punës

Irfan Jahiu