Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se sot në Samitin e NATO-s do të merren vendime historike si ftesa e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim, pranimin e dokumentit të Konceptit Strategjik, forcimin e mbrojtjes dhe parandalimit dhe rritjen e mbështetjes për Ukrainën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Stoltenberg para sesionit hapës të Samitit të NATO-s që mbahet në kryeqytetin e Spanjës, Madrid, deklaroi se: “Sot do të marrim vendime historike”. Ai njoftoi se do të ndryshojë dokumenti i Konceptit Strategjik i miratuar së fundmi në Samitin e Lisbonës në vitin 2010.
“Kina nuk përmendej me asnjë fjalë në dokument në atë kohë, Rusia shihej si partner strategjik”, tha Stoltenberg i cili shtoi se në dokumentin e sotëm do të shihet se Rusia përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e NATO-s dhe Kina përbën sprovë përballë vlerave dhe interesave të NATO-s.
Pasi bëri të ditur se do të forcohet mbrojtja dhe parandalimi, Stoltenberg rikujtoi se me forcat dhe njësitë në formacionin luftarak me përgatitje më të lartë do të përgatiten materiale ushtarake të vendosura më parë.
Stoltenberg potencoi se forcat me përgatitje të lartë që janë njoftuar se do të përbëhen nga 300 mijë ushtarë pritet të jenë gati vitin e ardhshëm, se këto njësi do të mbahen në gatishmëri në vendet e tyre dhe se shpenzimet e tyre do të financohen nga vende të ndryshme aleate.
– Vendimi për ftesë ndaj Suedisë dhe Finlandës
Stoltenberg tha se pas memorandumit trepalësh të nënshkruar dje nga Türkiye (Turqia), Finlanda dhe Suedia, sot do të merret vendim për të ftuar Suedinë dhe Finlandën për anëtarësim.
Ftesa e dy vendeve për anëtarësim brenda disa javësh pas aplikimit për anëtarësim më 18 maj është proces i shpejtë e paparë më herët, tha Stoltenberg duke shtuar se në procesin e anëtarësimit të dy vendeve ka nevojë për miratim edhe nga parlamentet e 30 vendeve aleate dhe se nuk mund të bëjë parashikime se sa mund të zgjasin proceset e miratimit.
Ai vuri në dukje se sot në Samitin e NATO-s do të sigurohet dakordim mbi paketën e mbështetjes gjithëpërfshirëse në çështjen e nevojave ushtarake të Ukrainës si dhe do të zhvillohen bisedime dhe do të merren vendime për shumë çështje si ndarja e barrës, ndryshimi i klimës dhe siguria kibernetike.