Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg shprehu kënaqësinë për rolin e Turqisë në zgjatjen e Marrëveshjes së Korridorit të Drithit në Detin e Zi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Stoltenberg në samitin “Drithë nga Ukraina” të organizuar me iniciativën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy foli për tragjedinë Holodomor, në të cilën regjimi sovjetik detyroi miliona njerëz të vdisnin duke i lënë në uri në territorin ukrainas gjatë viteve 1932-1933.
“Sot Rusia e përdor urinë si një armë kundër Ukrainës dhe për të krijuar më shumë ndarje dhe destabilitet mes pjesës tjetër të mbetur të botës”, theksoi Stoltenberg i cili shtoi se mirëpret me kënaqësi përpjekjet e aleatëve të NATO-s dhe BE-së për transportin e ushqimit nga Ukraina përmes rrugës tokësore.
“Mirëpres me kënaqësi, kryesisht mbështetjen që aleati ynë i NATO-s, Turqia ka dhënë me OKB-në për të zgjatur Iniciativën e Drithit në Detin e Zi. Pak kohë më parë kur u takuam me presidentin Recep Tayyip Erdoğan pashë anijet e drithit në Ngushticën e Bosforit. Po merrnin ushqime, drithë dhe plehra nga portet Ukrainës për njerëzit e pambrojtur dhe në nevojë urgjente”, tha Stoltenberg.