Studentët e Universitetit Sao Paulo në Brazil ngritën një kamp “Solidariteti me Gazën” në reagim ndaj sulmeve izraelite dhe në mbështetje të Palestinës, transmeton Anadolu.
Studentë nga shumë fakultete të Universitetit Sao Paulo, i cili konsiderohet universiteti më prestigjioz në Amerikën Latine, protestuan kundër sulmeve të Izraelit në Gaza.
Studentët ngritën një kamp solidariteti me Gazën përpara rektoratit dhe kërkuan që Brazili të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike dhe ekonomike me Izraelin.
Po ashtu, studentët ngritën flamuj palestinezë dhe duke bërë thirrje për “Palestinë të lirë” dhe “armëpushim të menjëhershëm”, ata kërkuan që të gjitha universitetet në vend t’u bashkohen atyre.
Fransicso Napolitano, një nga studentët, duke folur për agjencinë spanjolle të lajmeve EFE, tha se janë inkurajuar nga demonstratat që nisën në mbështetje të Palestinës në universitetet në SHBA.
Edhe Komiteti i Solidaritetit me Popullin Palestinez u bëri thirrje gjithashtu studentëve të universitetit në Brazil dhe tërhoqi vëmendjen për tmerrin e situatës në Gaza.
The post Studentët në Brazil ngrenë kamp solidariteti me Gazën first appeared on Radio Televizioni Iliria.