Organizata Ndërkombëtare e Migracionit (IOM) njoftoi se numri i personave të zhvendosur në Sudan për shkak të luftës civile që po vazhdon që nga mesi i prillit ka kaluar në mbi 3 milionë, transmeton Anadol.
Sipas të dhënave të fundit të ndara nga IOM-i, 2 milionë e 414 mijë persona janë larguar në ndonjë rajon tjetër brenda vendit, ndërsa 737 mijë persona janë strehuar në vendet fqinje.
Ndërsa numri i personave të zhvendosur është rritur me 180 mijë njerëz që nga java e kaluar, vendi me zhvendosjen më të lartë është provinca e Khartoumit me 72 për qind.
Dje, ushtria dhe Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) vazhduan të përplasen me armë të rënda në pjesë të ndryshme të Khartoumit, kryeqytetit të Sudanit. Në Umdurman, në perëndim të kryeqytetit, avionët luftarakë të ushtrisë bombarduan pozicionet e RSF-së.
Mosmarrëveshjet në Sudan filluan pasi ushtria sudaneze synonte që RSF-ja, të cilën dikur e mbështeste, por e konsideronte si kërcënim pasi vepronte si ushtri e pavarur dhe paralele, të integrohej plotësisht në ushtri brenda dy viteve.
Lufta verbale dhe tensionet, që filluan me deklaratën e RSF-së se mund ta pranonte këtë në një periudhë rreth dhjetëvjeçare pas ardhjes së një qeverie civile, u kthye në konflikt të armatosur në kryeqytetin Khartoum dhe qytete të ndryshme mëngjesin e 15 prillit.