RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Sudan, palët ndërluftuese shpallin armëpushim në ditën e parë të Bajramit

sudan,-palet-nderluftuese-shpallin-armepushim-ne-diten-e-pare-te-bajramit

Udhëheqësi ‘de fakto’ i Sudanit, Abdel Fattah al-Burhan, ka shpallur armëpushim “të njëanshëm” në ditën e parë të festës së Kurban Bajramit, transmeton Anadolu.

Në një adresim televiziv, al-Burhan tha se e gjithë bota është dëshmitare e asaj që ndodhi në kryeqytetin Khartoum, si dhe në qytetet Ubaid, Zalin, Nyala dhe Junaynah, të cilat mund të jenë një krim i spastrimit etnik dhe gjenocid.

Duke theksuar se forcat e armatosura përmbushën përgjegjësitë e tyre kundër këtij “komploti tradhtar”, al-Burhan falënderoi popullin sudanez për mbështetjen e forcave të armatosura.

Ai tha se komandanti i forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur po ashtu si Hemedti, i cili ka qenë në konflikt që nga 15 prilli, dëshiron të krijojë mbretërinë e tij mbi “mbetjet dhe kafkat e sudanezëve”.

Ai përsëriti se forcat e armatosura janë të gatshme t’ia dorëzojnë pushtetin një qeverie civile të udhëhequr nga populli sudanez.

Degalo po ashtu deklaroi një armëpushim “të njëanshëm” në prag dhe ditën e parë të Bajramit.

Më 15 prill, shpërthyen luftimet midis ushtrisë sudaneze dhe RSF-së në kryeqytetin Khartoum dhe në rrethinat e tij. Mbi 600 persona janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur.

Muajve të fundit, shpërtheu një mosmarrëveshje midis ushtrisë sudaneze dhe RSF-së mbi integrimin e RSF-së në forcat e armatosura, që ishte një kusht kyç i marrëveshjes së tranzicionit të Sudanit me grupet politike.

Sudani ka qenë pa një qeveri funksionale që nga tetori i vitit 2021, kur ushtria shkarkoi qeverinë kalimtare të kryeministrit Abdalla Hamdok dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme në një lëvizje të cilësuar nga forcat politike si një “grusht shteti”.

Periudha kalimtare e Sudanit, e cila filloi në muajin gusht të vitit 2019 pas rrëzimit të presidentit Omar al-Bashir, ishte planifikuar të përfundojë me zgjedhjet në fillim të vitit 2024.

Related posts

Sot fillon Samiti për Ukrainën, Osmani në Zvicër për ta përfaqësuar Kosovën

Muhamet Ramadani

“Qëndrimi ynë s’ka ndryshuar”, BE vijon paralajmërimet për urën e Ibrit: Veprimet e njëanshme të shmangen, Kosova duhet të dëgjojë aleatët

admin

Arrestohen tetë persona në Prishtinë, u kapën duke luajtur bixhoz

admin