RTV AHIRETI
Uncategorized

Suedia planifikon bisedime me Izraelin dhe vendet e BE-së për ndihmën humanitare në Gaza

suedia-planifikon-bisedime-me-izraelin-dhe-vendet-e-be-se-per-ndihmen-humanitare-ne-gaza

Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson ka bërë të ditur se vendi i tij ka “inicuar” një takim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Izraelit, disa vende të BE-së dhe partnerë të tjerë për të adresuar “nevojën urgjente për të përmirësuar qasjen humanitare në Gaza”, transmeton Anadolu.

Në llogarinë e tij në platformën sociale X, kryeministri Kristersson tha se “jeta dhe shëndeti i fëmijëve në Gaza duhet të mbrohen”.

Komentet e kryeministrit Kristersson vijnë pasi ministri kinez i Punëve të Jashtme, Wang Yi, e quajti luftën e Izraelit në Gaza një “turp për qytetërimin” derisa bëri thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm”.

“Është një tragjedi për njerëzimin dhe një turp për qytetërimin që sot, në shekullin e 21-të, kjo fatkeqësi humanitare nuk mund të ndalet”, u tha Wang gazetarëve në një konferencë për media në Pekin.

Suedia, së bashku me shumë vende të tjera evropiane, SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Australia, kanë ndërprerë fondet për Agjencinë e OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) lidhur me akuzat izraelite se disa nga anëtarët e saj ishin të përfshirë në sulmet e 7 tetorit.

Të hënën, ministri norvegjez i Punëve të Jashtme, Espen Barth Eide kërkoi nga bota të qëndrojë pranë UNRWA-së.

Komisioneri i Përgjithshëm i UNRWA-së, Philippe Lazzarini akuzoi Tel Avivin se kishte një “qëllim politik afatgjatë” për të “shkatërruar” agjencinë e ndihmës së OKB-së.

“Për momentin, ne kemi të bëjmë me një fushatë të zgjeruar dhe të përqendruar izraelite, e cila synon të shkatërrojë UNRWA-në”, tha Lazzarini në një intervistë të botuar nga gazeta zvicerane “Tages-Anzeiger” muajin e kaluar.

Javën e kaluar, Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) paralajmëroi Këshillin e Sigurimit për “uri të afërt në Rripin e Gazës”, duke kërkuar veprim të menjëhershëm për të parandaluar një fatkeqësi humanitare në një territor ku shumë anëtarë të Këshillit paralajmëruan se Izraeli po përdor “urinë si një armë lufte”.

The post Suedia planifikon bisedime me Izraelin dhe vendet e BE-së për ndihmën humanitare në Gaza first appeared on Radio Televizioni Iliria.

Related posts

Specialja konfirmon aksionin e zhvilluar në Prishtinë, nuk japin detaje për bastisjet

RTI

UNRWA: 17,000 fëmijë jetimë në Gaza

RTI

Turqi, vendi i tretë që dërgoi më së shumti ndihma në Rripin e Gazës

RTI