RTV AHIRETI
Lajme

Sveçla: Aktorë shtetërore e joshtetërorë të Serbisë dhe Rusisë kanë hyrë brenda territorit të Kosovës

svecla:-aktore-shteterore-e-joshteterore-te-serbise-dhe-rusise-kane-hyre-brenda-territorit-te-kosoves

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas protestës të së dielës në anën serbe të pikëkalimit kufitar me Kosovën, në Jarinje, duke siguaruar qytetarët kosovarë se Policia e Kosovës është e aftë dhe ka kapacitetet e nevojshme të përballjes me strukturat kriminale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministri Sveçla në një reagim në rrjetet sociale e quajti protestën si një “episod të nivelit të lartë të luftës hibride serbo-ruse ndaj Republikës së Kosovës”, derisa tha se të njëjtët aktorë joshtetërorë, të cilët i përdor edhe regjimi në Beograd edhe ai në Moskë, ia mësynë që ta thyejnë pikëkalimin kufitar në Jarinje.

Sveçla tha se protestuesit që patën synim thyerjen e pikëkalimit kufitar përfaqësohen nga Damnjan Knezheviq i cili është bashkëpunëtor i organizatës paramilitare ruse “Wagner”.

“Ditët e fundit, aktorë të tjerë shtetërore e joshtetërorë të këtyre dy vendeve, që janë të vetmet, që nga Lufta e Dytë Botërore, që ndezën luftëra në Evropë, kanë hyrë brenda territorit të Kosovës dhe ende gjenden këtu. Të armatosurit e maskuar dhe të barrikaduar në rrugë, me mbështetjen edhe të qendrës së spiunazhit rus që gjendet në Nish të Serbisë, po përpiqen që ta cenojnë sovranitetin tonë, duke nxitur provokime agresive në mënyrë që ta largojnë vëmendjen nga agresioni në Ukrainë, ku siç po shihet Putini po e humb luftën”, theksoi Sveçla.

Tutje ai tha se do të vazhdojë të ekspozojë qëllimin ruso-serb, por duke mos iu nënshtruar “mashtrimit që po përpiqen t’ia bëjnë Serbia dhe Rusia një pjesë të qytetërimit evropian”.

Ministri kosovar, duke siguruar qytetarët kosovarë se Policia e Kosovës është e aftë dhe ka kapacitetet e nevojshme për përballjen me strukturat kriminale në veri, tha se po bëjnë vlerësimet e nevojshme për mënyrën më efikase dhe kohën e përshtatshme për këtë, duke nënvizuar se qëllimi i palës kosovare është që të sigurohet ambient i sigurt për qytetarët pa dallim, liria e lëvizjes, luftimi i grupeve kriminale si dhe mbrojtja e integritetit dhe sovranitetit të Kosovës.

Të djelën në anën serbe të Jarinjes dhjetëra ultra-djathtistë serbë u mblodhën për të shprehur, siç thanë, mbështetje për popullin serb në Kosovë. Protesta u përshkua me incidente, pasi protestuesit bënë përpjekje të thyejnë kordonin policor.

Related posts

Përvetësuan mbi 300 mijë euro nga dy gra duke u prezantuar si Brad Pitt dhe duke krijuar lidhje me to, arrestohen pesë persona

admin

Dogji me benzinë për vdekje atleten olimpike, ndërron jetë edhe i dashuri, ndodhej në spital me djegie në trup

admin

Rritet në 37.925 numri i pa’lestinezëve të vr’arë nga sul’met iz’raelite në Ga’za

rezart morina