Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është duke e humbur betejën në terren në raport me kryeministrin, Albin Kurtin, prandaj edhe po i kthehet luftës hibride përmes së cilës tenton të nxisë trazira në Kosovë.
Këtë deklaratë Sveçla e bëri përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ku ndër të tjera tërhoqi një paralele me protestat që zhvillohen të shtunave në Serbi kundër presidentit Vuçiq dhe protestës asaj që pritet të mbahet sot në Prishtinë.
“Është e çuditshme se si qëlloi që protesta të jetë e organizuar të shtunën, kohën e njëjtë me protestën në Beograd që atje po organizohet kundër Vuçiqit”, shkruan ai.
Ndër të tjera ai thotë se mbetet të shihet sot nëse qytetarët e Republikës së Kosovës do të ruajnë dinjitetin personal dhe pozicionin e shtetit, apo do të bien në këtë grackë të luftës hibride të Serbisë.
Lexoni të plotë, pa ndërhyrje postimin e ministrit:
Lufta hibride në aksion
Vuçiqi po e humb betejën në terren me Kurtin, prandaj edhe po i kthehet luftës hibride që përmes mekanizmave që ka në kontroll të tentojë të nxisë trazira në Kosovë.
Ai po e humb ndikimin në veriun e Kosovës sepse i janë arrestuar kriminelët kryesorë, i janë mbyllur rrugët e kontrabandës dhe i janë shkatërruar laboratorët e drogës e fermat e kriptovalutave.
Atij po i dobësohen krahët sepse dora e djathtë e tij dhe njeriu kryesor që mban lidhjen me Moskën, Aleksandër Vulin, para ca ditësh iu sanksionua nga SHBA.
Belgjika dhe Britania e Madhe ia suspenduan licencat për prodhimin e armatimit, nën dyshimet se kishte furnizuar me municion e armatim edhe Rusinë e sanksionuar.
Në Beograd, çdo të shtune, tash e disa javë ka protesta masive që kërkojnë dorëheqjen e tij, dhe nuk duket se protestat do të ndalen shumë shpejt.
I gjendur në një situatë të tillë, ku pozicioni i tij karshi Kosovës po dobësohet dita ditës, me sa duket Vuçiqi ka vendosur që t’i kthehet luftës hibride, që përmes dezinformatave, shpifjeve, krijimit të frikës e mosdurimit, të provojë të nxisë pakënaqësi e trazira edhe në Kosovë. Kjo nuk ka qëllim forcimin e pozicionit negociues të Vuçiqit, por dobësimin e pozicionit të Kurtit.
Biseda të zhvilluara në Kuvend, të cilat Lista Serbe i kishte incizuar dhe incizimet ia kishte dorëzuar Vuçiqit, nga dora e Vuçiqit gjetën rrugën e tyre për t’u publikuar në një media në Kosovë.
Dhe tani si rezultat i keqinterpretimeve të qëllimta e patëm një skenë dhune të provokuar në parlamentin e Kosovës, dhe si të mos mjaftonin ato skena që portretizuan Kosovën si vend jostabil në të gjitha mediat ndërkombëtare, sot ka edhe një protestë të thirrur para qeverisë.
Është e çuditshme se si qëlloi që protesta të jetë e organizuar të shtunën, kohën e njëjtë me protestën në Beograd që atje po organizohet kundër Vuçiqit.
Është edhe më e çuditshme që këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, kur të gjithë i dijnë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë.
Mbetet të shihet sot nëse qytetarët e Republikës së Kosovës do të ruajnë dinjitetin personal dhe pozicionin e shtetit, apo do të bien në këtë grackë të luftës hibride të Serbisë.