Përzgjedhësi i Shqipërisë në futboll, braziliani Sylvinho, ka publikuar listën e lojtarëve që janë ftuar për dy ndeshjet kualifikuese të muajit qershor për Evropianin e vitit të ardhshëm.
Shqipëria më 17 qershor e pret Moldavinë, kurse më 20 qershor udhëton te Ishujt Faroe.
Në listën prej 27 lojtarëve ka emra të rinj të ftuar, por edhe rikthime në përfaqësuese.
Për herë të parë me Shqipërinë është bashkuar Simon Simoni, portieri i Shqipërisë U21.
Pasi munguan në disfatën nga Polonia, në mbrojtje janë rikthyer Berat Gjimshiti dhe Ardian Ismajli. Që të dy kishin lëndime. Është kthyer edhe Ardian Bajrami.
Risi tjetër është Mario Mitaj, që po ashtu është pjesë e Shqipërisë U21.
Për shkak të lëndimit kishte munguar edhe Keidi Bare, por ai ka zënë vend në listën e përzgjedhësit brazilian.
Edhe në sulm ka rikthime. Është kthyer Armando Sadiku dhe Ernest Muçi.
Konferencën e parë për media për ndeshjet e qershorit, përzgjedhësi Sylvinho do ta mbajë më 5 qershor, ndërsa grumbullimi i plotë do të jetë më 12 qershor.
Të tjerët që përfundojnë më herët angazhimin me klubet e tyre, do të grumbullohen më herët.
Pas një ndeshje të zhvilluar, Shqipëria e ka një humbje nga Polonia dhe momentalisht është në vendin e fundit të Grupit E, pa pikë.
Grupit i prinë Republika e Çekisë me katër pikë në dy ndeshje, Polonia e dyta me tri pikë pas dy dueleve të zhvilluara. Moldavia është e treta me dy pikë në dy ndeshje, kurse Ishujt Faroe kanë një pikë në një ndeshje të luajtur.
Ndeshjet e qershorit vlerësohen vendimtare për kualifikim në “Euro 2024”.