RTV AHIRETI
Lajme

Takimi Kurti-Vuçiq me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel përfundon pa marrëveshje konkrete

takimi-kurti-vuciq-me-ndermjetesimin-e-be-se-ne-bruksel-perfundon-pa-marreveshje-konkrete

Ka përfunduar pa një marrëveshje konkrete diskutimi rreth propozimit evropian midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, bashkë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq dhe ndërmjetësimin e shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian (BE), Joseph Borrell dhe përfaqësuesit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, transmeton Anadolu.

Në një konferencë për media pas takimit, Borrell tha se fokusi ka qenë diskutimi i propozimit evropian në normalizimin dhe stabilizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Borrell e konsideroi si sukses diskutimin për planin evropian dhe faktin se palët nuk po diskutojnë në menaxhimin e ndonjë krize në terren, siç tha ai, ashtu siç bënë në raundet paraprake të bisedimeve Kosovë-Serbi. Por ai theksoi se “po shikohet për zgjidhje konstruktive përpara”.

“Liderët treguan sjellje të përgjegjshme e gatishmëri për të gjetur zgjidhje konstruktive. Jam i lumtur të njoftoj se presidenti Vuçiq e Kurti janë pajtuar që nuk do të duhet diskutime tjera për propozimin evropian”, ka theksuar Borrell.

Sipas tij, ky propozim është mbi të gjitha për qytetarët e të dyja vendeve ngase marrëveshja sjell mundësi të reja ekonomike duke rritur asistencën financiare, bashkëpunimin në biznes dhe investime të reja në Kosovë dhe Serbi.

Borrell tha se marrëveshja për serbët në Kosovë nënkupton më shumë siguri, qartësi e parashikueshmëri kur vjen në pyetje mbrojtja e të drejtave të tyre.

Pas takimit, kryeministri Kurti, nga an e tij, tha se nuk e nënshkroi marrëveshjen, sepse “pala tjetër nuk ishte e gatshme për ta nënshkruar ndërsa ka shprehur gatishmërinë dhe interesimin për ta nënshkruar këtë tekst”.

“Edhe unë mendoj se është dëm pse nuk është nënshkruar sonte, meqenëse u pajtuam. Unë jam kryeministër dhe konfirmimi i pranimit të këtij teksti të propozuar natyrisht që do të duhej të rezultonte me nënshkrim, mirëpo ishte pala serbe ajo e cila nuk e bëri këtë ndonëse u pajtua”, theksoi Kurti.

Në një deklaratë për media po ashtu pas takimit, presidenti Vuçiq e konsideroi takimin trepalësh si “të vështirë”, por theksoi se palët do të takohen përsëri në vijim.

Vuçiq tha se kryeministri Kurti ka refuzuar marrëveshjen për implementimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Plani evropian i njohur edhe si “propozimi franko-gjerman”, i përkrahur edhe nga SHBA-ja, iu prezantua Kosovës dhe Serbisë në fund të verës të vitit 2022.

Pala kosovare në parim është pajtuar me planin evropian, përpos kërkesës për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, gjë për të cilën kryeministri Kurti ka theksuar disa kushte, përfshirë atë që ai duhet të jetë në korniza të Kushtetutës së Kosovës dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive.

Related posts

Lukashenko mbërrin në Rusi për bisedime me aleatin e ngushtë Putin

admin

Bakoyannis për Kosovën në KiE: Asnjë kandidati s’i janë kërkuar kaq shumë reforma

RTI

Kurti deklarohet për veriun: Heqja e barrikadave mund të shkaktojë viktima

admin