Komisioni Palestinez për të Burgosurit dhe Ish-të Burgosurit ka njoftuar se të burgosurit palestinezë në seksionin “Gilad” të burgut izraelit Ofer po përballen me “shtypje të përditshme” dhe kushte jashtëzakonisht të rënda.
Sipas një avokati të komisionit, në këtë seksion ndodhen 100 deri në 120 të burgosur të ndarë në 12 dhoma, me rreth 16 persona në secilën. Të burgosurit vuajnë nga mungesa e rrobave dhe produkteve higjienike, detyrohen të lahen me ujë të ftohtë dhe përdorin detergjent për enë në vend të shamponit.
Ushqimi përbëhet kryesisht nga bukë dhe kos, ndërsa tuna apo sallam u jepet vetëm një herë në javë. Për shkak të mbipopullimit, shumë prej tyre flenë në dysheme dhe marrin vetëm një batanije e një peshqir, të cilët rrallë zëvendësohen.
Komisioni theksoi se të burgosurit përballen me kontrolle të dhunshme dhe ndëshkime për arsye të parëndësishme, si qëndrimi pranë dritareve apo lutja në grup. Disa prej tyre janë rrahur, izoluar ose iu janë aplikuar goditje elektrike, sipas raportit. /mesazhi

