RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Të paktën 46 mijë persona të zhvendosur nga përshkallëzimi i luftimeve në Jemen

te-pakten-46-mije-persona-te-zhvendosur-nga-pershkallezimi-i-luftimeve-ne-jemen

Të paktën 46 mijë persona janë zhvendosur në Jemen që nga përshkallëzimi i luftimeve javën e kaluar, tha sot Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), duke paralajmëruar se shifra po rritet nga ora në orë, transmeton Anadolu.

Agjencia e OKB-së u bëri thirrje të gjitha palëve në konflikt të garantojnë qasje të sigurt për ndihmën humanitare dhe të mbrojnë civilët, punonjësit humanitarë dhe asetet humanitare në terren. “Familjet po detyrohen të largohen për herë të dytë ose të tretë gjatë këtij konflikti, duke mos pasur pothuajse asgjë”, tha në një deklaratë drejtoresha e përgjithshme e IOM-it, Amy Pope.

“Ndërsa luftimet përhapen, arritja e njerëzve me ndihmë jetike po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Ne kemi nevojë urgjente për qasje të sigurt dhe të papenguar”, shtoi ajo. Pope u bëri thirrje të gjitha palëve të mbrojnë civilët dhe personelin humanitar si dhe furnizimet, automjetet dhe objektet që përdoren për ofrimin e ndihmës.

Sipas agjencisë, shifra e të zhvendosurve përfshin bregdetin perëndimor të Jemenit dhe provincën Taiz deri të enjten dhe vazhdon të rritet. Një numër i madh njerëzish u panë duke u larguar gjatë natës nga qyteti port strategjik i Mokhas, duke marrë me vete sendet e tyre.

Ekipi i Mekanizmit për Gjurmimin e Zhvendosjeve të IOM-it po punon për të përpiluar shifra të përditësuara për të orientuar reagimin humanitar, por ndërprerjet e gjera të telekomunikimeve e kanë bërë jashtëzakonisht të vështirë komunikimin me zonat e prekura.

Mbërritje të reja janë raportuar në provincat jugore Lahj dhe Aden ndërsa të tjerë raportohet se po lëvizin në veri drejt provincës Ibb. Fshatra të tëra në Maqbanah, Jabal Habashi dhe Al-Ma’afer raportohet se janë boshatisur ndërsa përleshjet iu afruan zonave të banuara, tha agjencia.

Rruga Mokha-Taiz, një rrugë kryesore furnizimi, raportohet se është ndërprerë, duke shtuar presionin mbi komunitetet pritëse që po strehojnë familjet e zhvendosura. IOM-i tha se që nga fillimi i konfliktit kishte ndihmuar personat e zhvendosur përmes ekipeve të saj për strehimin, tokën dhe pronën, operacioneve për koordinimin dhe menaxhimin e kampeve, si dhe njësive të tjera në terren.

Megjithatë, të gjitha lëvizjet operacionale u pezulluan përkohësisht sot për shkak të “përkeqësimit të situatës së sigurisë”.

Agjencia u bëri thirrje palëve ndërluftuese të garantojnë qasje të sigurt dhe të qëndrueshme për ndihmën humanitare, të mbrojnë punonjësit humanitarë, objektet dhe asetet në mbarë vendin si dhe të rikthejnë komunikimet dhe rrugët e transportit të nevojshme për ofrimin e ndihmës.

Sipas IOM-it, furnizimet emergjente tashmë janë shteruar nga reagimi ndaj përmbytjeve të muajit të kaluar ndërsa nevojat më urgjente përfshijnë strehimin, ushqimin, ujin, artikujt shtëpiakë, kujdesin shëndetësor dhe shërbimet e mbrojtjes.

Related posts

Kuvendi i Shqipërisë miraton projektligjin “Për barazinë gjinore”, rrëzohet kërkesa për shkarkimin e Begajt

Muhamet Ramadani

185 shkelje iz’raelite në shtator kundër gazetarëve në Gaza dhe Bregun Perëndimor

Muhamet Ramadani

Aktakuzë ndaj 15 personave për rastin “Gropa”

Muhamet Ramadani