Dëshmitë e torturave, rikthejnë në vëmendje rolin e Rumanisë në programin sekret të CIA-s pas 11 Shtatorit
Ammar al-Baluchi kujton mbi të gjitha të ftohtin. I mbajtur pothuajse i zhveshur në një qeli të ndriçuar vazhdimisht me drita fluoreshente, ai e ka përshkruar burgimin sikur po jetonte në një frigorifer.
Baluchi, nipi i Khalid Sheikh Mohammed, i cilësuar si organizatori i 11 Shtatorit, besohet se ishte një nga gjashtë deri në 12 të burgosur të mbajtur dhe torturuar në një burg sekret të CIA-s në Bukuresht, mes viteve 2003 dhe 2005.
Dokumentet gjyqësore të Guantanamos përshkruajnë një regjim të ashpër: izolim në qeli të ndriçuara pa ndërprerje, privim nga gjumi, qëndrime të gjata të prangosur, ekspozim ndaj ujit të akullt dhe metoda të tjera të dhunshme gjatë marrjeve në pyetje.
Avokati britanik Ben Keith thotë se dëshmitë tregojnë qartë se të burgosurit iu nënshtruan torturave. Një çerek shekulli pas sulmeve të 11 Shtatorit, gjyqi ndaj Baluchit, Mohammed, Walid bin Attash dhe Mustafa al-Hawsawi është caktuar të nisë më 5 qershor 2028.
Çështja është zvarritur për më shumë se një dekadë, kryesisht për shkak të debateve mbi provat dhe nëse dëshmitë e marra pas torturave në burgjet sekrete të CIA-s mund të përdoren në gjyq.
Burgu rumun ishte pjesë e një rrjeti qendrash sekrete të CIA-s në Tajlandë, Poloni, Lituani dhe Rumani, të krijuara pas 11 Shtatorit në kuadër të programit të transferimit, ndalimit dhe marrjes në pyetje të të dyshuarve për terrorizëm.
Sipas dokumenteve dhe raporteve të organizatave joqeveritare, marrëveshja me autoritetet rumune u arrit në vitin 2002, ndërsa qendra në Bukuresht u hap në vjeshtën e vitit 2003. CIA i pagoi Rumanisë rreth 8 milionë dollarë, ndërsa më pas pasuan edhe shuma të tjera.
Ish-presidenti rumun Ion Iliescu, pranoi në vitin 2015 se kishte miratuar në parim kërkesën amerikane për një objekt, duke e cilësuar atë si një “gjest mirësjelljeje” përpara anëtarësimit të Rumanisë në NATO.
Ai tha se nuk kishte kërkuar detaje dhe se çështja ishte trajtuar nga këshilltari i tij për sigurinë kombëtare, Ioan Talpes. Ky i fundit ka pranuar se kishte miratuar dhënien me qira të një ndërtese qeveritare për CIA-n.
Raportuesi zviceran Dick Marty, në një hetim të Këshillit të Evropës në vitin 2007, arriti në përfundimin se autoritetet më të larta të vendeve pritëse kishin dijeni për aktivitetet e paligjshme të CIA-s.
Një raport i mëvonshëm pretendon se, pas vitit 2004, zyrtarë rumunë u informuan zyrtarisht nga ambasadori amerikan dhe drejtuesi i stacionit të CIA-s në Bukuresht për programin dhe përdorimin e torturave.
Vendndodhja e saktë e burgut është ende e kontestuar. Një hetim i Associated Press dhe ARD Panorama në vitin 2011 e lidhi atë me një ndërtesë qeveritare në veri të Bukureshtit, pranë zyrës kombëtare përgjegjëse për informacionin e klasifikuar. Institucioni e ka mohuar kategorikisht se në ambientet e tij ka funksionuar një burg i CIA-s.
Megjithatë, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut vendosi në vitin 2018 se Rumania kishte shkelur të drejtat e Abd al-Rahim al-Nashirit, i cili besohet se ishte mbajtur në vend nga prilli 2004 deri në nëntor 2005.
Gjykata konstatoi se një qendër sekrete kishte funksionuar në Rumani dhe se autoritetet rumune kishin bashkëpunuar në programin amerikan, duke qenë në dijeni të natyrës dhe qëllimit të tij.
Pavarësisht kësaj, hetimi i brendshëm rumun nuk solli përgjegjësi penale. Prokuroria e mbylli çështjen në mars 2021, duke e klasifikuar autorin si “të panjohur”. Këshilli i Evropës shprehu keqardhje të thellë që Rumania nuk kishte treguar se kishte përdorur të gjitha mjetet e mundshme për të zbardhur faktet.
Tani, me gjyqin e 11 Shtatorit të planifikuar për vitin 2028, dëshmitë e marra nën torturë në burgjet sekrete të CIA-s janë bërë pjesë qendrore e çështjes. Por bashkë me to rikthehet edhe pyetja mbi përgjegjësinë e qeverive që lejuan funksionimin e këtyre qendrave në territorin e tyre.
Megjithëse provat janë shtuar ndër vite, për Rumaninë qëndrimi zyrtar mbetet mohues. Sipas hetuesit Crofton Black, ka pasur për vite me radhë prova bindëse se vendi priti një burg sekret të CIA-s, ndërsa qeveritë rumune kanë vazhduar të mohojnë përfshirjen e tyre. /tesheshi

